Remitancat shkojnë kryesisht në konsum e shumë pak në investime

Dërgesat e mërgimtarëve kosovarë vazhdojnë të jenë burim i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës. Por ato kryesisht përdoren për financimin e konsumit të brendshëm, e jo për investime. Njohës të çështjeve ekonomike thonë se qeveria e ardhshme duhet të krijojë politika të përshtatshme për investimin e tyre në biznese, që do të krijonin vende të reja të punës në Kosovë.

Lajme

20/07/2014 12:47

Shumë familje në Kosovë pranojnë rregullisht mjete financiare nga bashkatdhetarët që jetojnë dhe punojnë jashtë. Por, një pjesë e madhe e këtyre mjeteve përdoren për mbulimin e konsumit të tyre të brendshëm e jo për ndonjë biznes, që do të krijonte vende të reja pune.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se kjo gjë duhet të ndryshojë. Drejtori i Institutit Kosovar për Menaxhim, Ilir Rexhepi thotë për Radio Kosovën se dërgesat e mërgimtarëve apo remitancat duhet të orientohen më shumë në investime.

“Sa i përket pjesës për investime, ato do të jepnin më shumë efekt në Kosovë, por që realisht, fatkeqësisht deri sot nuk ka pasur asnjë iniciativë, qoftë nga institucionet, qoftë nga asociacionet e bizneseve të ndryshme, të cilat do të rezultonin me ndonjë konkretizim të këtyre investimeve në Kosovë”, thotë Rexhepi.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë tremujorit të parë të këtij viti vlera e remitancave ka arritur në 130.8 milionë euro, apo 3 milionë euro më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës tashmë ka marrë vendim për lirimin nga tatimi prej 3 deri në 7 vjet për investimet e reja, varësisht nga vlera e investimeve dhe numri i të punësuarve. Ky vendim, sipas Rexhepit, është i mirë, por ai thekson se duhet të krijohen lehtësira për të gjitha kategoritë e bizneseve.

“Në caktimin e kushteve do duhej të ishte marrë parasysh mundësia për krijim të bizneseve të vogla e të mesme, e jo për biznese të mëdha në mënyrë të domosdoshme, sepse kjo e limiton mundësinë e njerëzve që kanë dëshirë, kanë shkathtësi, kanë kapacitet për të investuar, por, në anën tjetër, nuk mund të përfitojnë sepse kuotat janë kryesisht për biznese të mëdha”, thekson ai.

Rexhepi rekomandon që qeveria e ardhshme të krijojë kushte më të mira që mërgimtarët tonë të investojnë kapitalin e tyre në Kosovë. Në këtë drejtim, ai thekson se duhet të hapet edhe një zyrë këshilluese, që t’i orientojë ata se në cilat fusha mund të investojnë dhe cilat do të jenë më dobiprurëse.

Vitin e kaluar vlera e përgjithshme e remitancave ka qenë 620 milionë euro, përderisa gjatë vitit 2012 ishin 593 milionë euro.