Remi kërkon më shumë moral në politikë

Anëtari i kryesisë së PDK-së, Rrustem Mustafa, thotë se pret që Gjykata Kushtetuese do të sjellë një vendim meritor i cili i jep zgjidhje situatës dhe PDK të fillojë punën aty ku lanë. Sa i përket parregullsive në mbledhjen konstituive të Kuvendit, ai thotë se këto janë shkak i nostalgjisë së deputetëve nga një tjetër sistem.

Lajme

18/07/2014 23:06

Mustafa thotë se skenës politike në Kosovë i duhet më shumë moral.

Ai në emisionin “Argument Plus” në RTV21 ka thënë se fajin për mosmbarëvajtjen e mbledhjes konstitutive në Kuvend e ka edhe PDK edhe partitë tjera.

“Faj ka edhe partia ime dhe të gjithë tjerët, dikush më shumë e dikush më pak kemi faje për atë gjë”.

“Shihet se sistemi ynë ka lënë mbresa edhe nostalgji. Është vështirë të kthehemi tani në një sistem të ri. Ju e dini që vijmë nga një kohë ku janë prodhuar dy transformime të mëdha. Njëra është nga një sistem në një tjetër dhe e dyta nga robëria në liri. Këto dyja sjellin këso situatash”.

Ajo për çfarë Remi u bën thirrje politikanëve kosovar, është morali. Vetëm me politikë fer, ai thotë se do të arrihet deri në Evropë.

“Duhet të kemi më shumë moral në politikë”.

“Ne kemi përgatitjen politike dhe profesionale. Duhet t’i krijojmë të gjitha situatat që i duhen një shteti që t’i bashkohemi kombeve Evropiane”. (lajmi.net)