Relativizon kushtet gjermano-britanike

Sipas Erhard Busek, dokument në të cilin janë vendosur dhjetë kushtet gjermano-britanike për Serbinë është “lojë e zakonshme diplomatike”.

Lajme

11/10/2013 11:31

Ish Koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, Erhard Busek, ka inkurajuar Qeverinë serbe që të mos brengoset për kushtet gjermano-britanike të raportuara më parë.

Lajmi.net ka raportuar ekskluzivisht dy javë më parë për dokumentin prej dhjetë kushtesh të cilin Gjermania dhe Britania e Madhe shprehnin kushtet të cilat Serbia duhet t’i plotësojë ndaj Kosovës nëse dëshiron të ecë në rrugën e vet drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Busek, i cili po qëndron në Beograd ku po merr pjesë në një konferencë ndërkombëtare, e cilëson këtë dokument si “lojë të zakonshme diplomatike”.

“Kam dëgjuar për këtë ‘non- paper’ (dokument jozyrtar). Këto janë lojëra të zakonshme diplomatike dhe nuk duhet të brengoseni për këtë”, ka thënë gazetarëve Busek.

Mes tjerash, dokumenti kërkon që përveç kapitujve 23 dhe 24, të hapet edhe kapitulli 35 për Kosovën dhe që ky kapitull edhe të mbyllet në fund.

Megjithatë, Busek ka thënë se “ka ende kohë që të vendoset për Kapitullin 35”.