Relaksimi artificial i raporteve Shqipëri – Serbi mund të përdoret si mjet presion mbi Kosovën

Kur Shqipëria futet në mes Kosovës e Serbisë, si flamurtare e pajtimit, ajo futet vetëm për të amortizuar presionet e BE-së dhe të SHBA-ve mbi Serbinë.

Opinion

22/10/2016 12:53

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me vizitën e tij të fundit në Serbi, më shumë në stilin e një shoumeni mediash se sa të një burrështetasi, provokoi debate të forta ndër shqiptarë, por paragjykimet që u shpërfaqën gjatë këtij debati, nuk i ka prodhuar vetëm ai.

 

Bile mund të jetë që Rama me joseriozitetin e tij, realisht ka kontribuuar për mirë në debatin që pasoi, sepse duke e pasur para sysh joserioziteitn e tij si përfaqësues kombëtar, edhe pasionet sigurisht e debateve kanë qenë më të flashkëta. Natyrisht në këtë mes duhet të kihet para sysh edhe tjetra: partia dhe qeveria që drejton Rama, janë të majta dhe me një trashëgimi tmerrërsisht antikombëtare, veçmas partia. Shikuar brenda këtij konteksti, Rama ishte në terrenin e vet ideologjik, si internacionalist e ballkanist, sepse me program partiak e qevritar është antinacionalist.

 

Prandaj, ata zëra që përpiqen ta mbrojnë figurën dhe veprën e tij si figurë nacionale, (“lik i delo”) nuk kanë nevojë të lodhen kaq shumë, sepse figura dhe vepra e tij, duke qenë përfaqësuese të PS e të një qeverie të majtë, nuk mund të paketohen me etiketën si mbrojtëse të interesave kombëtare.

 

Për kuriozitet do të ishte mirë të hulumtohej nga buron gjithë ai akord i fortë i Ramës tij me Vuqiqin, me partinë dhe qeverinë e tij të djathtë dhe qartësisht nacionaliste, serbomadhe e pansllaviste, meqë nuk ka burim ideologjik ! Meqë është kaq paradoksal në bëmat e tij, mbase është mirë ta lëmë Ramën rehat në promovimet serike të vetes së tij si kurban, pasi në debatin për kombin e për bashkimin kombëtar, ai, partia dhe qeveria e tij nuk inkuadrohen me asgjë realisht.

 

Mund të bejmë ndonjë dëm, por edhe dëmi është pjesë e trashëgimisë antikombëtare dhe e programit antinacionalist që kanë. Nga ana tjetër, duhet të kihet para sysh edhe fakti se Rama, PS e as qeveria që drejton, nuk janë përgjegjëse pse nuk është shkruar deri sot në mënyrën e duhur historia e raporteve Shqipëri- Kosovë, e pakta që nga Rilindja Kombëtare e deri sot. Kjo nuk është punë e një kryeministri, as e një partie, madje as e një qeverie.

 

Kjo ka qenë dhe është punë e historianëve, politologëve, demografëve, sociologëve, filozofëve, me një fjalë e studiuesve dhe intelektualëve. Fatkeqësisht, deri sot kjo punë jo vetëm që nuk është kryer, por as nuk është filluar. Prandaj, pamja e këtyre raporteve, edhe jashtë kornizave të doktrinëse politike socialiste, është e mjegulluar dhe e deformuar, ose shikohet me ngjyra të ndezura, ose me njolla të errëta. Rrjedhimisht, edhe debatet në këtë temë nga ana e atyre që kanë vetëm njohuri të pjesshme ose edhe të tejkaluara, i ngjet lojës me plastelinë: plastelinën sapo ta shtypësh në njërën anë, prishet nga ana tjetër.

 

Pra, krahas kufizimeve ideologjike e politike majtiste, keqkuptimi në relacionet mes Shqipëirsë e Kosovës e ka burimin edhe te mungesa e pamjes së vërtetë të historisë sonë kombëtare. Fjala vjen, deri sot nuk është saktësuar se cilat kanë qenë kontributet e Kosovës, në formimin e kombit unik shqiptar dhe më vonë edhe në formimin e Shqipërisë. Nuk është saktësuar as cili ka qenë kontributi i Shqipërisë në mbijetesën dhe më vonë në pavarësimin e Kosovës shqiptare.

 

Nuk është sqaruar në mënyrë korrekte as çfarë ka ndodhur në raportet mes tyre, pas dështimit të formimit të shtetit- komb, sipas vizionit të rilindasve, me ç’rast pasuan modifikime të shumta të programeve politike e kombëtare, që sollën deri te kjo gjendje ku jemi sot, si një komb shqiptar me dy shtete, të dyja të dobëta e të pastabilizuara plotësisht. Nuk është analizuar ende se cilat do të jenë obligimet dhe raportet e këtyre dy shteteve me bashkekombasit e mbetur jashtë të dy shteteve dhe me diasporat e shumta, që sado që janë të injoruara, kontribuojnë në mbajtjen në këmbë të shoqërive shqiptare më shumë se sa programet sociale të dy qeverive.

 

Krahas kufizimeve ideologjike e politike dhe keqkuptimit që buron nga mosnjohja e kontributeve në të kaluarën, tash është shtuar edhe presioni i të qenit shtete të cilave u kërcënohet dështimi, gjë që rritë e ka rritur nervozën e shtetasve ndaj qeverive. Këtu pastaj fillon edhe loja ping pong e qeverive, spini i sajimit të skenarëve me lojëra “luftas” mes Shqipërisë e Kosovës, që nga patatja, ekipet e futbollit e deri te sekreti i kryqit në kravatën e Edi Ramës.

 

Po të mos kishte mbërritur në këtë derexhe deformimi ideologjik e politik, mossnjoha e njëri-tjetrit, spini me lojë ‘luftas” nuk do të kishte sukses. Mbase mund të kishte njëfarë suksesi te tifozat e futbolllit, por jo te elitat mediale dhe intelektuale. Shqetësues është fakti se në Kosovë ka zënë e po nxjerrë krye edhe një betejë e vjetër, e mbetur përgjysmë, beteja ndërmjet iredentizmit dhe indepedentizmit. Kjo dobësi shtesë e elitave në Kosovë, e identifikuar fillimisht në debatet për futbollin, nxori sërish krye gjatë debateve për vizitën e Ramës në Serbi, duke zbuluar jo vetëm një krizë mendimi, po edhe një krizë evidente të orientimit politik të Kosovës.

 

Nëse në emër të bashkimit me Shqipërinë në një të ardhme të pacaktuar, fiktive, tentohet të bëhet sot Kosova një shtet i dështuar, qoftë dhe duke ia dhënë mandatin qeverisë së Tiranës që ta përfaqësojë, kjo është ide suicide. Kjo nuk është vetëm krizë mendimi e krizë orientimi, po është krizë mendore, shizofreni agresive. Kosova e Shqipëria mund të lëvizin në të ardhmen drejt ndonjë forme të asocimit më të avancuar, vetëm nëse bëhen shtete të suksesshme dhe nëse integrohen plotësisht në strukturat evro-atlantike. Shtetet e dështuara nuk e kanë mundësinë e vetëdeklarimit, sepse janë cak legjitim i ndërhyrjes ndërkombëtare. Në këtë pikë, të mbikëqyrjes së jashtme, është Kosova de jure, ndërsa Shqipëria de facto është cak i ndërhyrjes së jashtme. Ata që eventualisht rrudhin krahët për Shqipërinë, le ta kujtojnë votimin unanim me 140 vota në Kuvendin e Shqipërisë, për reformën në drejtësi.

 

Nëse duam të themi të vërtetën e plotë, është e sigurtë se elitat e tashme politike, mediale e intelektuale, nuk e duan bashkimin e këtyre dy shteteve. Aktrojnë se duan për aq sa u duhet në lojërat e manipulimeve politike, por realisht nuk e duan, që do të thotë se janë edhe nën nivelin e tifozave të futbollit. Nën atë nivel ishte edhe një pjesë e debateve lidhur me vizitën e Ramës në Serbi. Etiketimet e rënda, në shumë raste tingëllonin si të ishin të huazuara nga zhargoni i tifozave të futbollit.

 

Por, përtej kësaj gjuhe jokorrekte, që vjen si pasojë e paditurisë dhe e disrespektit që zakonisht e prodhon padituria, mbetet çështja kyçe që duhet të diskutohet e të analizohet tash e në të ardhmen: si janë dhe si duhet të rregullohen në të ardhmen raportet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, si dy shtete të pavarura? Jo diskutime e analiza në kontekstin e lojërave politike e të sportit, po të njohjes së ndërsjellë të realiteteve dhe të planifikimit për të ardhmen, duke respektuar faktin që Kosova është shtet i pavarur. Ky realitet duhet të respektohet plotësisht, për të koordinuar me sukses bashkëpunimin e për të mos pasur rivalitete, keqkuptime e konfrontime.

 

Periudha para 17 shkurtit 2008 është histori, e cila duhet të ndriçohet, në kuadër të ndriçimit të gjithë pamjes së raporteve Shqipëri-Kosovë, por ajo tashmë është vetëm histori. Me statusin e Kosovës si shtet që ka qeverinë e vet, definitivisht duhet të mësohen edhe qeveritarët e Tiranës. Prej këndej edhe saktësohen fushat ku mund të ndihmohet e ku nuk duhet të ndërhyhet. Në rastin e kontestit të Kosovës me Serbinë, ndërmjetës janë BE e SHBA, që kanë edhe kapacitete presioni e imponimi ndaj palëve, e nuk mund të jetë Sqhipëria, e cila nuk ka asnjë kapacitet presioni e as imponimi ndaj Serbisë. Prandaj, kur Shqipëria futet në mes Kosovës e Serbisë, si flamurtare e pajtimit, ajo futet vetëm për të amortizuar presionet e BE dhe të SHBA-ve mbi Serbinë.

 

Nuk e zgjidhin deklaratat e kryeminstrit të Shqipërisë problemin e Trepçës, edhe nëse bëhen me sinqeritetin më të madh. Nga ana tjetër, duhet të thuhet qartë se relaksimi artificial i raporteve Shqipëri-Serbi, nga Serbia mund të përdoret si element shtesë i presionit serb mbi Kosovën. Kjo gjë nuk është marrë fare para sysh deri sot nga qeveria (antinacionaliste) e Shqipërisë. Për fund: sado keqkuptime që të ngrihen mes Shqipërisë e Kosovës si dy shtete në tranzicion, sa do rivalitete që të shfaqen mes tyre, asgjë nuk do ta lëkundë kombin shqiptar, si komb unik dhe i pasfidueshëm nga lojërat politike të brendshme a të jashtme.

 

Nëse këto dy shtete bëhen të suksesshme, i krijojnë më shumë hapësirë manifestimit të vlerave të kombit shqiptar, nëse dy shtetet tona mbahen në zgripc të dështimit si shtete, i pakësojnë mundësitë e manifesitmti të këtyre vlerave. Por, nuk i zhbëjnë kurrë. Kombi shqiptar është formuar para se të formoheshin shtetet tona, Shqipëria e Kosova. Dhe shtrihet si komb unik edhe në territore shtetesh të tjera, por pa u cenuar vlerat sublime të tij. Prandaj, nuk ka krizë të identitetit tonë kombëtar. Mund të kenë kriza identiteti njerëzit e veçantë, por ai është problem i tyre. Problem pati edhe Edi Rama në këtë mes, kur u përpoq që nga Serbia të na i kontrabandonte disa simbole të urryera antishqiptare, por ai ishte dhe mbetet problem i tij. Edhe i nostalgjikëve enveristë e jugosllavë, që nuk janë reformuar. Por, jo i kombit shqiptar.