Rektori Zejnullahu ndërprenë memorandumin me shoqatat e luftës

Rektori i UP-së Ramadan Zejnullahu, përfundimisht i ka shuar shpresat Organizatës se Veteranëve të UÇK-së, për regjistrim të studentëve nga lista që ata kanë propozuar. Zejnullahu ka marrë vendim për shkëputje të njëanshme të zbatimit të memorandumin.

Lajme

09/01/2015 17:11

Rektori i Universitetit Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu, ka marrë vendim për të ndërprerë zbatimin e memorandumit me Organizatën e Veteranëve të UÇK-së, që ishte nënshkruar mes Ministrisë së Arsimit edhe OVL –UÇK-së, e qëparashihte disa lehtësira për regjistrim në UP të fëmijëve të këtyre kategorive.

Sipas letrës së dërguar palëve të kësaj marrëveshje nga Rektori Zejnullahu, thuhet se arsyet për ndërprerjen zbatimit të këtij memorandumi kanë të bëjnë me çështjen e statutit të Veteranëve të UÇK-së i cili është rregulluar me ligjet e Kosovës dhe arsyeja tjetër është keqinterpretimi që i është bërë deri më tani këtij memorandumi.

Lajmin për shkëputjen e njëanshme të memorandumit e ka konfirmuar për “Epokën e re”, kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari. Ai nuk përjashtuar protestat pas këtij vendimi të rektorit.