Rektori mohon përgjegjësinë

Rektori i UP’së, Ibrahim Gashi, thotë se ai s'është përgjegjës për aferën korruptive që plasi në këtë institucion të arsimit të lartë dhe që dëmtoi kredibilitetin e tij. Kreu i UP'së i bën thirrje drejtësisë që të vazhdojë deri në fund me hetimet.

Lajme

21/12/2013 13:30

Universiteti Publik i Prishtinës “Hasan Prishtina” në javët e fundit është përballur me një skandal korruptiv, i cili ka dëmtuar rëndë imazhin dhe kredibilitetin e këtij institucioni të rëndësishëm arsimor.

Njëmbëdhjetë persona nga personeli akademik janë arrestuar, javën e kaluar, nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke përfshirë këtu edhe falsifikim të notave.

Rektori i UP’së, Ibrahim Gashi, thotë për lajmi.net se ai s’është përgjegjës për aferën korruptive që plasi në këtë institucion të arsimit të lartë dhe që dëmtoi fortë kredibilitetin e tij.

“Së pari, ata janë vetë përgjegjës pse janë arrestuar dhe natyrisht unë veç i bëjë thirrje drejtësisë që të vazhdojë deri në fund me hetimet”.

“Ne e kemi thënë më herët  dhe po e themi prapë, se do të jemi bashkëpunues me drejtësinë për çdo gjë që kërkohet nga ne”.

Pas skandalit të korrupsionit në UP, mediat gjithashtu raportuan se në vitin akademik 2013-2014, ishin fryrë listat pranuese për studentët në kohën e Rektorit Ibrahim Gashi.

Por, Rektori Gashi thotë se këtu nuk bëhet fjalë për shkelje, pasi sipas tij, numri i studentëve është rritur në afatin e dytë kur janë shqyrtuar edhe ankesat e studentëve.

Dhe, e gjithë kjo procedurë e ndjekur, sipas tij, është në përputhshmëri me Ligjin.

“Ne mbetemi të hapur për çdo lloj dyshimi nëse ka pasur”.

“Unë mendoj se çdo gjë është bërë në përputhje me ligjin”.

“Në përgjithësi bëhet fjalë për një rritje që ka lejuar Ministria e Arsimit”.

“Në afatin e dytë fakultetet kanë pasur të drejtë shqyrtimin e ankesave dhe të gjitha raportet për ankesat e shqyrtuara dhe pranimin e studentëve shtesë që janë bërë mbi bazën e ankesave nëpër fakultete, me nënshkrimet e komisioneve që kanë bërë pranimin dhe të Dekanit. janë në uebfaqe”.

“ Ne jemi shumë transparent mbi vitin kur e kemi mbikëqyrur procesin në tërësi, gjë që nuk mund të flasim për vitet e mëhershme, kur ne në marrje të detyrës procesi ka qenë në përmbyllje dhe ne nuk kemi pasur shumë qasje dhe shumë informacion”

Rektori Ibrahim Gashi thotë se është i gatshëm të marrë përgjegjësinë për çdo parregullsi në lidhje me regjistrimin e studenetëve gjatë mandatit të tij.

“Unë them që edhe për periudhën e kaluar por edhe për këtë mund të bëhen hetime, nëse ka pasur regjistrime”.

“Por thash, për vitin 2013-201,4 mbajmë përgjegjësi të plotë ne”.