Rektori i ri: UP ka shumë probleme, do t’i zgjidhim me transparencë të plotë

Pas marrjes së detyrës si Rektor i Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, Ramadan Zejnullahu, përmes një letre adresuar opinionionit ka thënë se është i vetëdijshëm me problemet që ballafaqohet UP-ja. 

Lajme

02/09/2014 17:14

Ai ka premtuar angazhim dhe transparencë për zgjidhjen e problemeve në institucionin më të lartë të arsimit në vend. 

“Kam kënaqësi ta falënderoj Këshillin Drejtues për besimin që ma kanë dhënë për ta udhëhequr gjatë dy viteve të ardhshme institucionin më të madh arsimor dhe shkencor në vend”. 

“Se universiteti ynë më i vjetër ka mjaft probleme themelore, kjo tashmë është e qartë për publikun e gjerë. Jam i vetëdijshëm për peshën e pozitës së rektorit dhe i gatshëm që së bashku me stafin e studentët, dhe në konsultim me institucionet relevante, të fillojmë t’i adresojmë me seriozitet problemet akute në UP”. 

“Unë do të tentoj t’i mobilizoj të gjitha kapacitetet dhe në transparencë me taksapaguesit kosovarë, të cilët na financojnë me bujari, të shënojmë progres të dukshëm për UP-në dhe rrjedhimisht për arsimin e shkencën kosovare në përgjithësi”. 

“Kjo detyrë nuk është e lehtë, por e vetmja mundësi për ta realizuar misionin e rëndësishëm të UP-së është nëse secili e kryen detyrën me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Unë jam i lumtur që këto parime do t’i vë në shërbim të universitetit të parë në Kosovë, që ka kapacitet për ta transformuar për të mirë shoqërinë tonë, siç ka bërë shpesh në të kaluarën”, thuhet në letrën e Rektorit e Zejnullahu.