Rektori i ri i UP-së: Fëmijët e dëshmorëve me 5 pikë bonus por edhe testin

Rektorin e ri, Ramadan Zejnullahun po e shqetëson numri i madh i studentëve familjarë të dëshmorëve dhe veteranëve të luftës, ngase sipas tij. kanë aplikuar në Universitetin e Prishtinë 600 të tillë dhe sipas një marrëveshje të mëparshme ata gëzojnë të drejtën e pranimit me automatizëm.

Lajme

29/09/2014 13:17

Të paktën kështu thuhet në njoftimin e KMDLNj-së, të cilët janë takuar me Rektorin.

Ndër të tjera, thuhet se Zejnullahu gjendjen e UP-së e ka përshkruar si shumë të rëndë.

Zejnullahu tregon se fëmijët e dëshmorëve të luftës do t’i kenë 5 pikë bonus, mirëpo, që të gjithë do t’i nënshtrohen testit për pranim në Universitet.

KMDLNj shfaq shqetësim për mosakreditimin e Programit së Departamentit të Matematikës e që po u pamundëson studentëve regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve duke ua mohuar njërën ndër të drejtat elementare të njeriut, të drejtën për arsimim.

KMDLNj kërkon që urgjentisht të rishqyrtohet ky vendim jo i drejtë dhe diskriminues duke ua mundësuar studentëve regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve.

Nëse AKA nuk e mënjanon këtë pengesë atëherë MASHT duhet të intervenojë në përputhje me ligjin duke ua njohur këtë të drejtë studentëve.

Në fakt MASHT duhet ta tërheq refuzimin e kërkesës që i ka bërë rektorit Zejnullahu dhe rektorati i Universitetit “Hasan Prishtina”për zgjidhjen e statusit të studentëve të Degës së Matematikës e që kanë mbetur pa u regjistruar pa fajin e tyre.

Edhe Zejnullahu e theksoi këtë problem i cili kishte kërkuar që këtyre studentëve t”u mundësohet dëgjimi i ligjëratave për të mos humbur 2 muaj deri në takimin që do të mbahet në fillim të nëntorit nga AKA.

Të gjithë profesorët kanë shprehur gatishmëri të ligjërojnë pa pagesë deri në akreditim të Degës së Matematikës.

KMDLNj mendon se profili që është përcaktuar të studiojë në degën e Matematikës është shumë deficitarë në Kosovë dhe shumë i nevojshëm prandaj këta studentë që shprehin vullnet për të studiuar në degën e Matematikës jo që duhet të pengohen por, përkundrazi duhet të stimulohen.

KMDLNj e përkrah plotësisht rektorin Zejnullahu në përpjekjet për vendosjen e rregullit në Universitet dhe luftimin e korrupsionit ( dhënia e tenderëve pa bazë ligjore, shitja e notave dhe titujve , punësimi në baza familjare dhe baza klanore të grupeve kriminale të interesit , ngritja e një administrate profesionale dhe të pavarur ) si dhe dukurive të tjera që e kanë devalvuar dhe degraduar skajshmërish këtë institucion të lartë arsimor.

Në këtë kontekst kërkon që studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit “ Hasan Prishtina “ të mbështesin rektorin me bashkëpunëtorë duke e vlerësuar angazhimin në përmbushjen e premtimeve programore pasi të ketë kaluar një kohë e jo duke i vënë pengesa pa filluar ende punën .