Rekordmeni Conte

Antonio Conte pritet të largohet si një hero nga Juventusi. Trajneri italian e fitoi titullin e tretë rresht në Serie A, duke e thyer rekordin e pikëve. Bianconeri arritën në kuotën e 99 pikëve, një shifër të cilën nuk e kishte arritur askush më parë.

Sport

12/05/2014 11:12

Antonio Conte ka lënë gjurmë në Juventus si futbollist, por tash edhe si trajner. Italiani ia solli titullin e tretë rresht ekipit Bianconeri, të 30-in në histori të klubit Bianconeri.

Por, jo vetëm kaq. Me Conten, ‘Zonja e Vjetër’ e regjistroi një rekord në futbollin italian. Pas fitores ndaj Romës, Juve arriti në kuotën e 99 pikëve, dy më shumë se rekordi më i mirë i deritashëm, të cilin e mbante Interi i sezonit 2006-07 (97 pikë).

“Ne sigurisht se kemi arsye të festojmë shumë, pasi ky ishte një sezon i jashtëzakonshëm”, deklaroi Conte për Sky Sport Italia.

“Ne e mposhtëm rekordin e Interit të Roberto Mancinit në Serie A dhe do të jetë mjaft e vështirë të arrihet”, vazhdoi ai.

“Ne i mposhtëm rivalët tanë direkt në shtëpitë e tyre, gjithashtu edhe ekipin e shkëlqyer të Romës, i cili na ndoqi tërë sezonin. Vetëm një Juventus i madh mund ta ruajë këtë tempo dhe ne jemi krenarë që e arritëm këtë”, përfundoi ai.