Rekomandohen ndryshime në projektligj për Administratën Tatimore dhe Procedurat     

Sipas projektligjit në fjalë, parashihet që ky Bord të veprojë në kuadër të Ministrisë së Financave për të shqyrtuar ankesat e tatimpaguesve në lidhje me tatimet.

Lajme

17/01/2019 15:32

Projektiligji për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i sponsorizuar nga Ministria e Financave (MF) pritet të sjellë disa ndryshime në rregullimin e Adiministratës Tatimore të Kosovës dhe Doganat e Kosovës.

Disa nga ndryshimet që pritet të bëhen, vijnë nga siç është quajtur themelimi i Bordit të Ankesave, i cili shërben për shqyrtimin e ankesave të tatipaguesve, ndaj këtyre institucioneve.  Ky bord do të krijohet me miratimin e këtij projektligji në Kuvend dhe hyrjen e tij në fuqi.

Këtë e ka bërë të ditur edhe vet ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar, pati njoftuar se me këtë vendim po përmbyll ciklin e reformave fiskale për vitin 2018.

Sipas projektligjit në fjalë, parashihet që ky Bord të veprojë në kuadër të Ministrisë së Financave për të shqyrtuar ankesat e tatimpaguesve në lidhje me tatimet.

Mirëpo, jo e gjithë përmbajtja e këtij projektligji po shihet si adekuate nga përfaqësues të komunitetit të bizneseve dhe nga ata të Shoqërisë Civile. Ata po shfaqin skepticizëm rreth mundësive që ky organ të jetë ndikuar në marrjen e vendimeve, transmeton lajmi.net.

Një reagim më të zëshëm e ka bërë Instituti për Kontabilitet, Auditim dhe Financa (IKAF), përmes një publikimi në të cilin kanë dhënë rekomenadime dhe propozime për ndryshim të këtij projektligji. Ata parashohin se ndryshimet që do të vijnë me këtë projektligj, mund të vënë në pikëpytje pavarësinë e Bordit të Ankesave në marrjen e vendimeve, me qenë se ai do të jetë i menaxhuar nga MF. “Bordi i Ankesave duhet të funksionojë si i Pavarur, jashtë Ministrisë së Financave, për shqyrtimin e ankesave ndaj vendimeve të nxjerra nga ATK, Dogana e Kosovës, dhe administrata komunale lidhur me çështje tatimore”, është thënë duke rekomanduar që “ministria përkatëse dhe Qeveria në përgjithësi të gjejnë forma tjera të lejuara nga korniza ligjore dhe Kushtetuta në mënyrë që ky Bord të ketë statutin e një trupi të pavarur, ku emërimi i tyre të bëhet nga Kuvendi i Kosovës”.

Rekomandim tjetër nga ky institut është bërë edhe në përbërjen e anëtarëve të këtij Bordi dhe numrin e tyre, ku sugjerohet që ai të jetë më i madhë, ashtu siç ishte në mandatet e mëhershme. Gjithashtu, në këtë raport kanë dhënë sugjerime që kufizimet kohore për vlerësimet tatimore nga ATK të jenë brenda 4 vjetëve dhe jo 6 sa është përcaktuar me projektligj, si dhe Avokati i Tatimpaguesit të jetë një zyrë brenda Ministrisë së Financave dhe jo brenda ATK-së. /Lajmi.net/