Reka: Serbia duhet ta njoh Kosovën ndryshe nuk hyn në BE

Deri në fund të vitit Kosova do të anëtarësohet në UNESCO, vitin tjetër në Këshillin e Evropës e më vonë edhe në OKB. Kështu thotë profesori i së Drejtës Ndërkombëtare dhe së Drejtës së BE-së, ish – ambasadori i Maqedonisë në Bruksel, Blerim Reka.

Lajme

03/11/2015 07:58

Ai thotë se pas fuqizimit të MSA-së, Kosova duhet të dëshmojë institucional për të qenë një ditë pjesë e BE-së.

Reka ka vlerësuar se rol kyç në këtë proces do të kenë faktori njeri dhe angazhimi i tërë potencialit qeveritar dhe joqeveritar në secilën fushë.

Ai ka vlerësuar se nënshkrimi i MSA-së erdhi si një lloj ‘shpërblimi’ për Kosovën pas nënshkrimit të marrëveshjes me Beogradin në dialogun e Brukselit.

Reka ka treguar se gjatë këtij procesi, së paku dhjetëvjeçar, konsensusi politik dhe ndërpartiak do të jetë i rëndësishëm. Ai ka bërë me dije se deri ën fund të vitit Kosova do të anëtarësohet në UNESCO, vitin tjetër në Këshillin e Evropës, më vonë edhe në OKB.

“Duhet të jemi të sinqertë dhe të pranojmë se nënshkrimi i MSA-së erdhi si një lloj “shpërblimi” për Kosovën pas nënshkrimit të marrëveshjes me Beogradin në ‘Dialogun e Brukselit’, ashtu siç edhe Beogradi do të shpërblehet me hapjen e negociatave anëtarësuese, fillimisht te kapitulli 35”, është shprehur Reka.

“Sa më shumë që zgjerohet ky normalizim bilateral, aq më tepër dy shteteve do t’u lejohet të afrohen drejt caqeve të tyre strategjike. Nuk është fjala këtu për njohje të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë. Herët a vonë kjo do të ndodh por, jo tash. Beogradi do të detyrohet ta njoh Kosovën para përfundimit të procesit negociator me BE-në, sepse nuk mund të pranohet në BE si shtet anëtar me probleme të hapura territoriale”, thënë ai./ Epoka e re