Reichel: Ku janë sot ‘analistët politikë’ që nuk po i shohin rezultatet e dialogut?

Ish-ambasadori gjerman në Prishtinë, Ernst Reichel, aktualisht i dërguar për Ballkanin i kancelares Angela Merkel, ka përshëndetur zhvillimet e djeshme, anëtarësimin e Kosovës në Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, si dhe shkuarjen e dy ministrave kosovarë në një takim rajonal në Beograd.

Lajme

23/10/2014 11:31

“Anëtarësimi i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, si dhe pjesëmarrja e dy ministrave të  Kosovës në nivel të barabartë me homologët e tyre në një takim rajonal në Beograd, janë tregues se Kosova dhe Serbia janë në proces të normalizimit të marrëdhënieve të tyre”, ka thënë diplomati gjerman Reichel.  

Me fjalë të tjera, sipas tij, dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke dhënë rezultate, madje siç ka thënë ambasadori Reichel, edhe përtej mundësive që ka aktualisht.

“Ku janë ‘analistë politikë’ dhe kritikët e tjerë të përhershëm sot?”, ka pyetur Reichel duke aluduar te kritikuesit e dialogut, si dhe mungesës së jehonës reale për dy zhvillimet e ditës së djeshme.