Regres i madh në veri të Kosovës, Serbia forcon strukturat paralele

Qeveria e Kosovës ka raportuar në Bruksel një regres në zbatimin e marrëveshjeve të deritashme, të arritura me Serbinë. Ata kanë fajësuar fqinjin verior, Serbinë, për fuqizim të strukturave paralele.

Lajme

25/03/2015 07:52

Raporti që i referohet periudhës dhjetor 2014 – mars 2015 për përmbushjen e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, thekson se në vend të progresit kjo periudhë e raportimit më shumë është shënuar nga zhvillimet negative të shkaktuara nga Serbia, e cila e ka rishqyrtuar mbështetjen për strukturat e saj ilegale paralele në Kosovë, me rastin më të dukshëm në tetor të vitit 2014, për të vazhduar me forcimin dhe zgjerimin e tyre që nga janari i këtij viti, shkruan Koha Ditore.

“Mbështetja e Serbisë për strukturat ilegale paralele ka rrezikuar në mënyrë dramatike progresin në funksionimin ligjor dhe integrimin e katër komunave veriore në sistemin e Kosovës. Serbia ka vazhduar edhe më tej në shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit, duke i udhëzuar këto komuna që të mos i adoptojnë buxhetet ligjore komunale, në tentativë për të penguar integrimin e sektorëve të shëndetësisë dhe të arsimit në sistemin e Kosovës”, thuhet në raportin e firmosur nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri. “

“Si pasojë e ndërhyrjes së tillë nga Serbia, në tetor të vitit 2014 dhe shkurt të vitit 2015, katër komunat veriore po përballen me shkurtime buxhetore që nga 1 marsi i këtij viti”.

Në këtë dokument theksohet se pasojat e kësaj ndërhyrjeje bëhen edhe më të mëdha kur bëhet fjalë për pengesat e shkaktuara për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet këtyre autoriteteve lokale dhe autoriteteve qendrore në Kosovë, si dhe në fushën e arritjes së përparimit për rikthimin e besimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe qytetarëve serbë të veriut, të shkatërruar për shumë vjet.

Në dokument po ashtu shprehet shqetësimi për tendencat e zmbrapsjes së përparimit të arritur në dialog si dhe të vullnetit për krijimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën.

“Serbia ka vazhduar të vërë pengesa për anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale, madje edhe në rastet ku Kosova tanimë është anëtare e plotë, etj. Do të dëshironim ta konsideronim këtë periudhë të rezultateve të pakta të dialogut të Brukselit si një fazë kalimtare dhe jemi padyshim të interesuar që të shohim avancimin e ndryshimeve substanciale drejt një përparimi dinamik të këtij procesi”, thuhet në raport.