Regjistrimi i popullsisë s’e zgjidh problemin e Luginës

Ragmi Mustafa ka thënë regjistrimi i popullsisë është vetëm një lojë politike e Qeverisë së Serbisë për të tërhequr vëmendjen nga temat aktuale.

Lajme

08/12/2013 15:33

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, thotë se regjistrimi i popullsisë nuk e zgjidh problemin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Mustafa ka thënë për Kosovapress se kjo është vetëm një lojë politike e Qeverisë së Serbisë për të tërhequr vëmendjen nga temat aktuale.

“Nuk do të thotë që do të zgjidh ndonjë problem regjistrimi i popullsisë”.

“Kjo është një lojë politike që përmes Stankoviqit, të orientojë politiken e shqiptarëve në drejtim tjetër apo të dalë para ndërkombëtareve me opsione krejtësisht tjera, duke hapur gjithmonë tema të reja, që s’kanë të bëjnë me temën aktuale dhe tani nuk është një temë relevante regjistrimi i popullsisë”.

Ndryshe Kryetari i trupës koordinuese të qeverisë së Serbisë, për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Zoran Stankoviq, ka deklaruar sot se është reale të pritet që regjistrimi i ri i popullsisë në këto komuna të bëhet vitin e ardhshëm.

“Plani është që të bëhet regjistrimi sipas kritereve ndërkombëtare”, tha Stankoviq për Radio Televizionin e Serbisë, dhe ka shtuar se “problemet duhet të zgjidhen në kuadër të Kushtetutës dhe konventave ndërkombëtare, që regjistrimi të filloj në marrëveshje me shqiptarët lokalë dhe me praninë e bashkësisë ndërkombëtare si dëshmitare”, ka deklaruar ai.