Refuzoi t’i jepte para, 16 vjeçari rrëmben armën e tenton të vrasë babain

Një debat mes djalit 16-vjeçar dhe babait për pak sa nuk përfundoi në tragjedi në Kukës. Kreshnik Shahu, 40 vjeç, banues në fshatin Bardhoc, i kishte refuzuar djalit të tij adoleshent kërkesën për disa të holla dhe kjo ka sjellë reagimin e të birit duke qëlluar ndaj tij, por fatmirësisht plumbi nuk e ka prekur.

Lajme

19/03/2017 20:52

Sipas të dhënave të Policisë, pas debatit për paratë në banesën e tyre në fshatin që ndodhet disa kilometra larg pikës kufitare të Morinës, 16- vjeçari ka rrëmbyer pushkën që familja mbante në banesë duke e kërcënuar me jetë të atin, shkruan “Panorama”.

Pas kësaj, blutë e Kukësit shkuan menjëherë në vendngjarje dhe arrestuan në flagrancë adoleshentin A.Sh., 16 vjeç. Gjithashtu në pranga përfundoi edhe babai i tij. Shkak për këtë u bë arma e zjarrit pa leje, ndaj 54-vjeçari u arrestua me akuzën e “mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Sipas Policisë, debati mes 16-vjeçarit dhe babait të tij ka nisur për motive të dobëta dhe që më pas përfundoi me kërcënimin me armë.

Kryefamiljari Kreshnik Shahu, i gjendur në vështirësi financiare pasi i duhej të kujdesej për katër fëmijë adoleshentë, nuk i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesës së djalit të dytë për një shumë parash që ai i kishte kërkuar paraditen e së mërkurës. Kjo bëri që i biri i revoltuar për mos plotësimin e dëshirës t’i drejtonte armën babait të tij.

Pas denoncimit të bërë nga të afërmit, efektivët e policisë ndërhynë në banesë dhe gjatë kontrollit të ushtruar në shtëpinë e familjes Shahu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë të tipit pushkë, si dhe pesë krehra me 70 fishkë që i zoti i shtëpisë rezultoi se i mbante pa leje.

Përveç babait që do të akuzohet për armëmbajtje pa leje, i biri i tij 16 vjeç do të gjykohet për “vrasje me dashje, të mbetur në tentativë”. “Më datë 14.03.2017, specialistët e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin A.Sh., 16 vjeç, banues në fshatin Bardhoc, Kukës.

Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në fshatin Bardhoc, në banesë, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri pushkë babain e tij, shtetasin K.Sh.”, thuhej në njoftimin e Policisë./