Refuzohet ankesa e prokurorisë në rastin e tre të akuzuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, në rastin e të akuzuarve M.M., I.K. dhe N.S., për shkak të veprës penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lajme

23/10/2017 13:34

 

Në këtë mënyrë, Apeli e ka lënë në fuqi aktvendimin e  Gjykatës  Themelore në Prishtinë, të datës 31.07.2017, sipas të cilit aktakuza ndaj tyre është hudhur, konform dispozitës 253 të Kodit të Procedurës Penale dhe është pushuar procedura  në këtë çështje.

Gjykata e Apelit, pasi ka elaboruar provat në bazë te të cilave është ngritur aktakuza, vlerëson se në rastin konkret, gjykata e shkallës se parë ka vepruar drejtë kur e ka hudhur atë,  sepse në veprimet e të pandehurve, nuk konsumohen elementet e veprës penale për të cilën ngarkohen.

Kjo ngase vepra penale e keqpërdorimit të  pozitës apo autoritetit zyrtar kryhet vetëm kur bëhet më qellim të sjelljes se dobisë ose shkaktimit të dëmit apo shkeljes se drejtave personit tjetër, elemente këto që jo vetëm që nuk theksohen në dispozitiv të aktakuzës, por nuk i provojnë as provat në bazë te të cilave është ngritur ajo.