Refuzohet ankesa, 35 të dyshuarit për terrorizëm mbeten në paraburgim

Gjykata e Apelit ka refuzuar  ankesat e mbrojtësve të 35 personave të dyshuar për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, të arrestuar nga policia muajin e kaluar.

Lajme

30/09/2014 11:19

Sipas një njoftimi të Gjykatës së Apelit thuhet se për të dyshuarit do të mbeten në fuqi vendimi i më hershëm.

“Gjykata e Apelit, ka refuzuar si të pa bazuara ankesat e mbrojtësve të 35 personave të dyshuar për vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, ndaj aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë PPK.KR.nr.406/2014|, thuhet në njoftim.

Kolegji nga ana tjetër ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të një të pandehuri të këtij rasti (S. Kaçikut), kundër të njëjtit aktvendim, duke vendosur që atij t’i ndërpritet paraburgimi dhe t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak, deri me 12 nëntor 2014.

Për të dyshuarit e tjerë do të mbeten në fuqi masat e sigurisë të shqiptuara si në aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë,  me kohëzgjatje deri më 12 nëntor 2014. 

Personat e arrestuar më 11 gusht, disa prej të cilëve kanë marrë pjesë në luftimet në Siri dhe Irak përkrahë organizatave të shpallura terroriste, si ISIL dhe Al-Nusra, dyshohen për veprimtari terroriste, nxitje dhe rekrutim të të tjerëve për të marrë pjesë në luftëra të huaja.

Pas arrestimit të 11 gushtit, Policia e Kosovës ka arrestuar edhe 12 imamë të Bashkësisë Islame tyë Kosovës, si të dyshuar për nxitje të ekstremizmit fetar, të përcarjes ndërfetare dhe kombëtare të shqiptarëve.