Refuzimi i Tribunalit do t’i prekte marrëdhëniet Kosovë-BE

Themelimi i Gjykatës speciale që do të merret me krimet e supozuara të ushtarëve të UÇK-së, është i pashmangshëm. Samuel Zbogar ka thënë se të dënuarit eventualë nga kjo gjykatë, dënimin do ta vuajnë jashtë vendit.

Lajme

09/04/2014 18:41

Të dënuarit eventualë nga Gjykata Speciale, që pritet të themelohet, do të vuajnë dënimin jashtë Kosovës dhe për këtë Kosova pritet që së shpejti të nënshkruajë marrëveshje përkatëse me Holandën.

Ajo që do t’i dekretojë përfundimisht  gjyqtarët dhe prokurorët ndërkombëtarë të kësaj gjykate do të jetë presidentja Atifete Jajaga, transmeton Kohavision.

Detajet i ka dhënë në emisionin “Interaktiv” shefi i BE-së, Samuel Zbogar, i cili insiston se Gjykata Speciale do të merret ekskluzivisht me raportin e Dick Marty. Sipas tij, refuzimi i mundshëm i Kuvendit mund t’i dëmtojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, duke çuar në krijimin e Gjykatës nga ana e OKB-së.

“Prokurorët e gjykatësit do të jenë ndërkombëtarë, kështu ishte propozimi ynë. Dhe, proceset e ndjeshme do të ndodhin jashtë, ndërsa dënimi dhe mbajtja e burgimit do të bëhen jashtë Kosovës. Këto janë elemente që për ne e bëjnë procesin e besueshëm dhe vlerësojmë se këtu përfshihet edhe dënimi jashtë vendit, andaj dikush që akuzohet apo shpallet fajtor në Gjykatë do ta vuajë dënimin jashtë”.

“Nuk është vendosur ende, por po negociojmë me Holandën. Kosova duhet të nënshkruajë një marrëveshje speciale me Holandën. Sepse, do të jenë gjykatat e Kosovës që do të kenë disa procese me atë shtet, dhe, mund të jetë edhe ndonjë shtet tjetër”.

Krijimi i kësaj gjykate, sipas Zbogarit, nuk do ta dëmtonte imazhin e Kosovës, përkundrazi do të ishte sinjal që Kosova ka guxim për një përballje të tillë me të kaluarën.

“Duhet reflektuar se çfarë mund të sjellë secili skenar, ju  mund ta krijoni këtë gjykatë speciale nga Kuvendi, që do të jepte një sinjal të mirë për gatishmërinë e Kosovës që nuk ka frikë për t’u marrë me çështje të tilla, edhe pse shumica e krimeve janë bërë nga pala tjetër”.

“Refuzimi, jo vetëm që do të dërgonte krijimin e Tribunalit në OKB, por edhe do të prekte marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së”, tha Zbogar në Interaktiv të KTV-së.