Reformat në ekonomi janë më se të nevojshme

Bizneset e rajonit të Ferizajt, të tubuara rreth Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB) kanë zgjedhur të martën në një kuvend pune 10 delegatë që do t'i përfaqësojnë në Kuvendin VI zgjedhor, që do të mbahet më 15 prill në Prishtinë.

Lajme

17/03/2015 18:16

Me këtë rast, drejtues të AKB-së kanë diskutuar për aspekte që lidhen me problemet dhe nevojat e bizneseve.

I pari i këtij asociacioni, Agim Shahini para përfaqësuesve të bizneseve ka vënë në dukje nevojën e një qasje krejtësisht të re institucionale karshi bizneseve.

Sipas tij, gjendja ekonomike në Kosovë është e vështirë dhe nisur nga kjo është i nevojshëm përmirësimi i politikave ekonomike që do ta favorizonin zhvillimin e bizneseve vendore.

“Brenda periudhës njëvjeçare, për shkaqe të ndryshme janë shuar në shumë se 4,000 biznese dhe janë humbur më shumë se 8 mijë vende të punës. Kjo tregon më së miri për gjendjen në të cilën ndodhemi”, u tha Shahini pronarëve të bizneseve nga rajoni i Ferizajt.

Ndër arsyet që kanë ndikuar në gjendjen e bizneseve ai ka përmendur politikat joadekuate fiskale, mungesën e mbështetjes institucionale, korrupsionin, burokracinë, vonesat procedurale, kreditë dhe interesin e lartë bankar, si dhe mosfunksionimin e rendit dhe ligjit që jo pak herë i ka sjellë probleme bizneseve.

Më tutje, Shahini ka përmendur edhe iniciativat që ka ndërmarrë AKB-ja në përmirësimin e kushteve për të bërë biznes, duke përmendur me këtë rast vendimin e Qeverisë për faljen e borxheve, i cili, siç tha, është bërë me iniciativën e tyre. Shahini ka sjellur edhe rezultatet e një hulumtimi, duke thënë se në periudhën 2010-2014, me vetiniciativë janë hapur më shumë se 40 mijë kompani të reja, ndërsa janë mbyllur me shumë se 15 mijë biznese tjera.

“Nga kjo rezulton se pa punë kanë mbetur më shumë se 31 mijë punëtorë, shifër kjo që arsyeton ikjen e fundit të qytetarëve nga vendi”, ka thënë Shaini, duke u bërë thirrje institucioneve të shtetit që të fillojnë me procesin e reformave që do të mundësonin krijimin e kushteve për zhvillimin e bizneseve vendore.