Reforma zgjedhore kryhet në dhjetor

Maksimalisht fundi i dhjetor do të jetë data kur reforma zgjedhore duhet të jetë e përfunduar. Duket se presioni ndërkombëtarë që në asnjë mënyrë të mos shkohet në zgjedhjet nacionale pa reformën zgjedhore ka dhënë rezultate.

Lajme

11/11/2013 08:55

Deri më 31 dhjetor të këtij viti partitë politike kanë afat që të bien dakrod për reformën zgjedhore, për të cilën ato kanë pasur dallime të  mëdha deri më sot.

Presioni i bashkësisë ndërkombëtare që Kosova në asnjë mënyrë të mos hyjë në zgjedhjet nacionale që pritet të mbahen në pjesën e parë të vitit të ardhshëm me ligjin e vjetër zgjedhor  duket se ka bindur më në fund subjektet politike që të gjejnë konsensusin e përbashkët për përfundimin e reformës zgjedhore.

KosovaPress, duke u thirrur në burime të mirëinformuara, shkruan sot se afati i fundit kur partitë politike duhet të përfundojnë këtë proces, është 31 dhjetori i këtij viti.

“Maksimalisht fundi i dhjetor do të jetë data kur reformat zgjedhore do të kryhen”, ka thënë ky burim.

Edhe përfaqësuesit e partive politike kanë thënë se procesi i reformës zgjedhore do të përfundojë shpejt.

Deputeti i PDK’së, Arsim Bajrami, thotë se paraprakisht duhet të kalohet kriza aktuale parlamentare dhe të debllokohet Parlamenti, në mënyrë që të ushtrojë funksionet Kushtetuese.

“Nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme, do të ishte gabim shumë i rëndë, pa u bërë amendamenti i Ligjit për Zgjedhjet”.

“Partitë politike duhet të arrijnë marrëveshje për funksionimin edhe për gjashtë muajt e ardhshëm të Parlamentit, në mënyrë që të mos bllokohet, jo vetëm çështja e PTK`së por mos të bllokohet as çështja e buxhetit, e në mënyrë të veçantë të ketë një konsensus rreth ligjit për zgjedhjet”.

“Unë mendoj se nëse ka vullnet, reforma zgjedhore për dy javë kryhet, sepse 90 për qind e çështjeve janë harmonizuar”.

“Ka mbetur vetëm çështja e sistemit zgjedhor, definitivisht listat do të jenë të hapura, definitivisht Kosova do të jetë një njësi e vetme zgjedhore, kanë mbetur disa detaje teknike, të cilat mund edhe në Parlament të harmonizohen nga Grupet Parlamentare dhe unë jam i sigurt se deri në fund të vitit reforma zgjedhore do të përfundohet”.

Deputeti i AAK’së, Burim Ramadani thotë se  për Kosovën do të ishte zhvillim jo i mirë nëse vendi futet në zgjedhje pa përfunduar reforma zgjedhore.

“Ne si AAK besojmë se së pari duhet të përfundoj procesi i zgjedhjeve lokale, pra balotazhi dhe pastaj, deri maksimalisht, në fund të vitit duhet të përfundoi patjetër reforma elektorale, kodi i ri elektoral dhe pastaj të futemi në zgjedhje sa më shpejt që është e mundur në aspektin ligjor”.

“Do të ishte zhvillim jo i mirë për Kosovën, nëse do të futemi në zgjedhje parlamentare, pa e ndryshuar, pa e bërë reformën elektorale në vendin tonë, por nëse një situatë e tillë e krizës vazhdon, normalisht se Aleanca është e gatshme të hyjë në zgjedhje”.

Deputeti i LDK’së Arben Gashi thotë ndërkaq se tashmë nuk ka asnjë dilemë se vendi është në krizë institucionale dhe krizë të përfaqësimit dhe se kjo krizë mund të provokojë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ai ka fajësuar PDK’në për vonesat që janë shkaktuar në reformën zgjedhore.

“Në aspektin e reformës zgjedhore kemi hyrë në një pikë të vdekur dhe këtë e kam deklaruar para disa muajsh, se procesi i reformës kushtetuese zgjedhore ka hyrë në pikë të vdekur si rezultat i mungës së vullnetit të PDK’së, për të dhënë koncensuesin për ndryshimet e duhura zgjedhore”.

“Logjikisht edhe në aspektin e së dëshirueshmes, nuk do të duhet të kishte zgjedhje të parakohshme, pa u mbyllur reforma zgjedhore, mirëpo institucionalisht mund të krijohet një situatë e tillë dhe detyrohemi që të shkojmë në zgjedhje”.

Dardan Molliqaj nga Vetëvendosje thotë se reforma zgjedhore është bllokuar për shkak se nuk është nisur që të bëhet reformë.

“Ju e dini që ka filluar me shumë zëra që presidenti do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli dhe në fund të gjitha këto janë hequr”.

“Ne mendojmë se Kosova ka nevojë për ndryshime logjistike-administrative, kryesisht të procesit zgjedhor dhe të vendimmarrjes së KQZ’së, por nuk mendojmë se ka nevojë për reformë politike të sistemit zgjedhor, për shkak se nuk mendojmë se defektet e Kosovës nuk i bien me këtë ligj që e kemi”.

 

(Kosovapress, lajm.net)