Reforma e deformuar

Kuvendi i Kosovës nuk përfaqëson shoqërinë kosovare. Reforma zgjedhore konsiderohet të jetë e rëndësishme për të pasur zgjedhje të drejta dhe ajo duhet t’i përshtatet sistemit politik në Kosovë. Kështu konstaton \"Demokracia për Zhvillim.\"

Lajme

01/10/2013 13:14

Deputetët nga pozita dhe opozita si dhe përfaqësues nga shoqëria civile u bënë bashkë sot, për të diskutuar lidhur me reformën zgjedhore dhe arsyet e ngecjes së kësaj reforme në Kosovë.

Në një konferencë të organizuar nga instituti hulumtues, Demokraci për Zhvillim (D4D), ku u bë publikimi i dy raporteve ‘Deforma zgjedhore’ dhe ‘Përkthimi i besimit të qytetarëve’, u konstatua se reforma zgjedhore në Kosovë ka ngecur dhe se nga anketa e zhvilluar del se Parlamenti nuk i përfaqëson interesat e qytetarëve.

Në pyetjen a e përfaqëson Kuvendi shoqërinë kosovare, 27%  e personave që nuk pajtohen aspak, 11% nuk pajtohen deri diku dhe pastaj 27% as këndej as andej, 13% pajtohen pak , 17% pajtohen plotësisht.

Leon Malazogu nga Demokracia për Zhvillim, gjatë prezantimit të këtyre raporteve, u shpreh se reforma zgjedhore në Kosovë është nisur në mënyrë të gabuar.

“Reforma zgjedhore në Kosovë në vend se të nisej me qëllim për të parandaluar  manipulimet, u nis me qëllim për të krijuar zonat dhe për të zgjedhur presidentin drejtpërdrejtë nga populli”.

Deputeti nga PDK, Halit Krasniqi, pranoi se ka pasur mungesë vullneti nga lidershipi i partive politike për të çuar përpara reformën zgjedhore.

“Procesi zgjedhor, siç dihet nga zgjedhjet e fundit ka dalë i lënduar, edhe ka qenë brengë e shoqërisë civile. Kjo brengë është manifestuar edhe te partitë politike të opozitës. Jo se unë i takoj pozitës, por edhe partia më e madhe është pajtuar se ky proces ka qenë i lënduar dhe duhet të bëhen korrigjime”.

“Mundësinë për të bërë reforma ia kemi lënë pothuajse tërësisht opozitës. Ka qenë krejtësisht e paqartë pse ata janë tërhequr në një kohë apo në një fazë dhe e kanë hendikepuar procesin për reformën zgjedhore”.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se reformë zgjedhore nuk mund të ketë asnjëherë përderisa në pushtet vijnë njerëz, siç u shpreh ajo, me vota të vjedhura.

“Komisioni për reformë zgjedhore është formuar qe dy vite e gjysmë dhe fatkeqësisht asnjëherë deri më tani nuk ka pasur reformë të mirëfilltë zgjedhore. Po del që marrëveshja e arritur në prillin e vitit 2011 kishte për qëllim zgjedhjen e Presidentit nga zarfi dhe zgjatjen e jetës të kësaj qeverie të dalë nga vota e vjedhur”.

“Nuk ka pasur vullnet për të bërë reformë zgjedhore nga subjektet që kanë qenë në pushtet. Ato janë treguar të papërgjegjshme karshi reformës zgjedhore, duke u munduar kështu të krijojnë mekanizma për rritje artificiale të elektoratit, pra përmes zonave zgjedhore”.

“Ne si subjekt politik jemi të bindur që reformë zgjedhore nuk do të kemi asnjëherë nga njerëz që kanë ardhur në pushtet nga vota e vjedhur”.

Ardian Gjini nga AAK, tha se partitë më të mëdha në vend e kanë ngecur reformën zgjedhore.

“Në fillim të procesit të reformës, kur është krijuar komisioni për reformë zgjedhore, ka qenë PDK’ja ajo që e ka zvarritur procesin. Pas një viti LDK’ja është hidhëruar pse nuk është respektuar marrëveshja e Isa Mustafës dhe është tërhequr prej komisionit dhe ka filluar ta bojkotojë komisionin, në kohën kur nuk është dashur ta lëshoj komisionin”.

“Reformat zgjedhore dhe forma e zgjedhjes së Presidentit që janë tema tepër serioze dhe të mëdha për një shtet, nuk janë procese populiste dhe nuk duhet të kuptohen si të tilla”.

Por për Partinë e Fortë, dështimi i reformës zgjedhore qëndron krejtësisht diku tjetër.

Kryetarit legjendar i kësaj partie, Visar Arifaj prezantimi i këtyre raporteve iu duk mjaft mbresëlënës, por tha se ky prezantim ka qenë pak tendencioz.

“Të gjitha partitë u munduan ta hedhin fajin te dikush tjetër, kur të gjithë e dimë se arsyeja kryesore pse nuk ka ndodhur reformat zgjedhore është për shkak se ne nuk kemi qenë pjesë e atyre”.