Reforma duhet patjetër

Ambasadorët e Francës dhe Gjermanisë thonë se nuk ka zgjedhje parlamentare pa reformë zgjedhore. Daviet dhe Blomeyer, po ashtu, tërheqin vërejtjen se manipulimet në zgjedhjet e së dielës nuk do të lejohen. Thonë se Europa do të mbajë shënim.

Lajme

30/10/2013 22:02

Liderët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për festë paszgjedhore, ose pushim pas fushatës së lodhshme.

Kanë humbur mjaft kohë në reformën zgjedhore, prandaj Perëndimi ka filluar të dërgojë tashmë mesazhe të drejtpërdrejta: Bëjeni atë reformë.

E tha qartë javën e kaluar Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tracey Ann Jacobson.

E përsëritën sonte dy kolegë të saj, Ambasadorë nga dy ndër vendet më të fuqishme të Bashkimit Europian.

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet dhe Ambasadori i Gjermanisë Peter Blomeyer, kanë qenë të ftuar të mërkurën në emisionin Target në RTK.

Gjatë intervistës, ata e thanë të qartë se Kosova nuk mund të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme pa reformën zgjedhore dhe se puna në këtë reformë duhet të nisë menjëherë pas zgjedhjeve lokale.

Peter Blomeyer, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

Blomeyer tha se menjëherë pas përfundimit të këtyre zgjedhjeve, partitë politike duhet të shtyjnë përpara reformën zgjedhore për zgjedhjet nacionale, të cilat, sipas tij, duhet të mbahen para shtatorit të vitit 2014.

“Ne kemi marrë një qëndrim sa i përket reformës zgjedhore. Ambasadorët e Quint’it kanë thënë se reforma zgjedhore duhet të mbyllet tani”, ka thënë Ambasadori Blomeyer.

“Kjo duhet të jetë pjesë e agjendës së liderëve politikë. Ata janë të zënë me zgjedhjet komunale, por kur ato të përfundojnë, ata duhet të përqendrohen në këtë çështje”.

“Kjo reformë nuk bën të shtyhet më. Shteti do të vlerësohet dhe gjykohet në bazë të kësaj reforme”.

Këtë qëndrim e ka përsëritur edhe diplomatja nga Franca.

“Është e papranueshme të shkohet në zgjedhje pa reformë. Së pari Parlamenti duhet ta miratojë një ligj të ri për zgjedhje”, ka thënë prerë Ambasadorja Daviet.

Blomeyer dhe Daviet kanë folur edhe për zgjedhjet lokale të së dielës, duke porositur që ato të jenë të rregullta dhe në to të mos përsëriten keqpërdorimet e raportuara në të kaluarën.

Ata thanë se Europa do të mbajë shënim se si Kosova i bën këto zgjedhje.

Maryse Daviet, Ambasadore e Francës në Kosovë.

“Të gjithë e kanë bërë të qartë se gjatë këtij viti na duhet të kemi zgjedhjet të lira e të drejta, pa mashtrime”, ka thënë Ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet.

“Ka një faturë prapa kësaj dhe qytetarët do ta paguajnë faturën”.

“Qeveria dhe partitë politike e dinë se këto zgjedhje janë jetike për Kosovën”.

“Nëse zgjedhjet nuk janë demokratike, Kosova do të ketë pasoja direkte në rrugën e saj të integrimit europian”.

“Ju kemi bërë të qartë të gjitha forcave politike se një nga kriteret kryesore për nënshkrimin e  marrëveshje së MSA’së dhe asaj për liberalizimit të vizave, janë zgjedhjet e rregullta, të lira dhe demokratike”.

“Ne kemi shumë vëzhgues në teren, dhe nëse pas zgjedhjeve vëzhguesit tanë dalin e na thonë se kishte probleme me zgjedhjet, atëherë do të ketë problem shumë të mëdha në këtë proces të nisur me BE’në, por edhe në fusha tjera”, ka thënë Ambasadorja Daviet.

I qartë ka qenë edhe Ambasadori Blomeyer.

“Është shumë e rëndësishme të kuptohet se çka nënkupton demokracia. Pra, duhet të vendosë populli e jo një grup njerëzish. Mashtrimi paraqet vepër të rëndë penale. Dikush që bart votat nga një vend në vendin tjetër, duhet ta dijë se kjo paraqet vepër penale. Ne nuk do t’i mbyllim sytë para kësaj”, ka thënë Ambasadori Gjerman Blomeyer.

Blomeyer dhe Daviet u kanë bërë thirrje qytetarëve serbë në Veri që të dalin dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë në qeveritë lokale, pavarësisht vështirësive me të cilat ata po përballen.

“U them qytetarëve në Veri të dalin në votime. E di se kanë detyrë të vështirë dhe kanë disa pasiguri që lidhen me të ardhmen e tyre ekonomike, por nuk janë të vetëm”, ka thënë Blomeyer.

“Inkurajojmë serbët në Veri të dalin në votime dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre, sepse vetëm përmes tyre ata do t’i mbrojnë interesat e veta në mënyrë demokratike”, ka thënë Ambasadorja Daviet.