Referët e impresionuar

Gjyqtarët e ndeshjes Kosova – Haiti, katërshja zvicerane: Stephan Klossner, dy asistentët e tij, Vital Jobin e Stephane De Almeida, dhe referi i katërt, Fedayi San, kanë mbetur të kënaqur me atë që panë në Mitrovicë, duke e konsideruar këtë si njërën prej ndeshjeve më të veçanta që i kanë drejtuar. “Natyrisht, nuk ishte një…

Sport

06/03/2014 21:00

Gjyqtarët e ndeshjes Kosova – Haiti, katërshja zvicerane: Stephan Klossner, dy asistentët e tij, Vital Jobin e Stephane De Almeida, dhe referi i katërt, Fedayi San, kanë mbetur të kënaqur me atë që panë në Mitrovicë, duke e konsideruar këtë si njërën prej ndeshjeve më të veçanta që i kanë drejtuar.

“Natyrisht, nuk ishte një ndeshje si të gjitha të tjerat”, ka thënë fillimisht referi Klossner, të cilit desh ta nxirrte vetëm një karton të verdhë në këtë takim.

“Edhe pse arritëm në stadium vetëm gjysmë ore para lojës, tribunat ishin të mbushura dhe atmosfera ishte jashtëzakonisht euforike. Kur e kontrolluam fushën, na kanë duartrokitur sikur të shënohej ndonjë gol”, vazhdoi gjyqtari zviceran.

Sipas Klossner, Kosova e ka kaluar testin e 5 marsit. Ai insiston se Federata e Futbollit të Kosovës demonstroi se është gati për pranim në FIFA.

“Federata kosovare u tregua jashtëzakonisht e gatshme për ta organizuar një lojë ndërkombëtare këtu. Me këtë rast iu demonstrua FIFA-s se më në fund Kosova mund ta bëjë hapin drejt arenës ndërkombëtare”, përfundoi gjyqtari zviceran.