Referendumi për demarkacionin, i pamundur

Propozimi i zëvendëskryeministrit Dardan Gashi që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të zgjidhet nëpërmjet një referendumi nuk përkrahet nga askush. Deputetët e koalicionit qeverisës, opozita, si dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se kjo ide është e pamundur të realizohet.

Lajme

11/01/2018 09:57

Derisa Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi tashmë është duke kaluar në procedurat e komisioneve parlamentare (në mënyrë që të procedohet në seancë të Kuvendit të Kosovës), zyrtarë të lartë të Qeverisë kanë propozuar që të vendoset nëpërmjet një referendumi për këtë çështje, kjo meqë vetëm me anë të referendumit mund të arrihet një zgjidhje.

Mirëpo, përfaqësuesit e partive opozitare kanë vlerësuar për gazetën “Zëri” se me propozimet e tilla për referendum po tentohet vetëm që të blihet kohë.

Kjo pasi që, siç thonë ata, Qeveria duhet të ofrojë zgjidhje e jo propozime rreth kësaj çështjeje.

Ndërkaq njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se ideja e referendumit për demarkacionin aktualisht është e pamundur të realizohet dhe rekomandojnë që zgjidhja e Marrëveshjes së Demarkacionit duhet të vijë nga një konsensus politik, ngase çdo tentativë tjetër vetëm e stërzgjat finalizimin e kësaj marrëveshjeje, shkruan tutje “Zëri”.

Gashi: Referendum për demarkacionin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherësh ministër i Diasporës, Dardan Gashi, nëpërmjet një opinioni të botuar në medie thotë se po i shpreh pikëpamjet e tij personale, ka vlerësuar se Marrëveshja e Demarkacionit tashmë është kthyer në një mollë sherri mes Kosovës dhe palës ndërkombëtare.

Për këtë arsye Gashi ka kërkuar të shpallet referendum për çështjen e demarkacionit.