Redi Jupi zbulon fajtorin e humbjes së Shqipërisë nga Italia

Redi Jupi, në emocionin “Procesi Sportiv” në “Top Channel”, ka analizuar paraqitjet e Shqipërisë së Panuçit.

Sport

11/10/2017 11:12

Ish-trajneri i Kombëtares U-21 dhe ish-drejtori i zyrës së talenteve në FSHF, Redi Jupi, në emocionin “Procesi Sportiv” në “Top Channel”, ka analizuar paraqitjet e Shqipërisë së Panuçit:

“Nëse do ta shohësh ndeshjen si tifoz dhe i papërfshirë teknikisht, kjo ishte një ndeshje e pëlqyeshme. Po ashtu, edhe ndeshja me Spanjën. Por ka një problem shumë të madh, sepse të gjitha janë shumë tërheqëse për t’u parë, por na kanë sjellë humbje.

Të luash mirë, pra që skuadra të jetë e kompozuar mirë, të ketë ekuilibra dhe të bëjë mirë fazën e mbrojtjes më bëjnë që të preferoj më shumë humbjen me Spanjën në Shqipëri apo edhe humbjen 2-0 në Itali, pasi me atë mënyrë, rezultatet do të na vijnë edhe për të qenë realistë na erdhën, sepse fituam 0-3 në Izrael.

Në dy ndeshjet e fundit, skuadra nuk ka ekuilibra dhe ne i lejuam shumë kundërshtarit. Në ndeshjen me Spanjën, pati mbi 10 gjuajtje në portë dhe mbi 15 tentativa për të shënuar. Italia pati mbi 12 tentativa për të shënuar. Gjë që ne nuk ua kemi lejuar asnjëherë kaq shumë kundërshtarëve në këto eliminatore.

Skuadra jonë është shumë e gjatë në shumicën e kohës. Gjatësia e ekipit, apo ndryshimi i fronteve (sulmo ne dhe sulmo ata), në shumicën e rasteve bën që të fitojë skuadra që ka më shumë individualitete. Kjo nuk është Italia që ne e prisnim të vinte, është skuadër më se normale. Me të barazoi në Itali edhe Maqedonia, ka pasur shumë probleme së fundmi dhe është ndryshe nga ajo skuadra me të cilën ne luajtëm atje.

Nuk ka asnjë mëkat që të sulmosh, por atë që unë shoh si problem në këtë ekip është ky: Kur mbrohemi, nuk kemi ekuilibër, marrim shumë ujë. Kemi humbur qarkullimin e topit, një element që ekipi e ka pasur. Edhe duke pasur një mesfushor më shumë sesa ata në mesfushë, nuk qarkullonim dot topin, ose e bënim në mënyrë sporadike. Në kohën e De Biazit, më pëlqente fakti që skuadra fitoi qarkullimin e topit. Element që mbase s’e kemi pasur në historinë e futbollit shqiptar.

Mbroheshim me rregull, i lejonim pak kundërshtarit dhe kishim qarkullim topi. Mbase bëhej ekip i mërzitshëm, por ishte garanci që ndaj atyre në të njëjtin nivel ose poshtë nesh, i mundnim të gjithë. Tani, ekipi është 80 metra i gjatë dhe në sulm, duket sikur trajneri nuk e ka në dorë ekipin. Ky nuk është ekip U-21 apo U-19, por që duhet të marrë rezultate dhe rezultatet nuk merren pa ekuilibra”.