Reçica: Lirimi i Haradinajt i kontribuon proceseve në Kosovë e rajon

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Elmi Reçica ka thënë se lirimi i kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i kontribuon proceseve pozitive në Kosovë dhe rajon.

Lajme

28/04/2017 12:01

Këto komente ai bëri gjatë adresimit të tij në Konferencën Ndër-parlamentare për Politikë të Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë dhe për Politikë të Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e cila po mbahet në Maltë.

Atje, Reçica ka konfirmuar përkushtimin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj për t’u bërë pjesë e BE-së, pasi që, siç tha ai, ekziston bindja se brenda BE-së do të realizohen aspiratat e tyre.

Në margjina të kësaj konference, kreu i Komisionit për Punë të Jashtme  ka zhvilluar edhe një varg takimesh të veçanta me përfaqësues të shumë të shteteve pjesëmarrëse.

Ja postimi i plotë:

Në Konferencën Ndër-parlamentare që po mbahet në Maltë, Konferenca për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë / Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes.

Nga vendet e regjionit, që nuk janë pjesë e BE-së, vetëm Kosova është e pranishme në këtë konferencë, në të cilën e përfaqësoj në cilësi të kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme, si dhe delegacionet e Parlamenteve kombëtare të vendeve anëtare të BE-së, vendet vëzhguese dhe anëtarët e Parlamentit Evropian për të diskutuar çështjet aktuale në këtë fushë të politikave.

Në ditën e parë të konferencës, është mbajtur takimi i kryetarëve të Komisioneve për Punë të Jashtme, ndër të tjera është diskutuar mbi gjendjen aktuale të Politikës Evropiane të Fqinjësisë, situatën mbizotëruese në rajon, në rajonin e Mesdheut Jugor dhe në Lindjen e Mesme.

Punimet e konferencës në ditën e sotme vazhduan me paraqitjet dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi prioritetet dhe strategjitë për Politikën e Përbashkët të Jashtme, të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, nga Përfaqësuesit e lartë të Parlamentit Evropian, përfaqësuesit e institucioneve të Maltës si dhe personalitete të tjera pjesëmarrës në konferencë. /Lajmi.net/