Reçica: Koalicioni PDK-AAK-Nisma nuk do të ketë nevojë për partnerë tjerë, veç minoriteteve

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Elmi Reçica ka thënë se koalicioni PDK-AAK-Nisma dhe të tjerët do të fitojnë numër të mjaftueshëm të ulëseve në Kuvend për të formuar një Qeveri stabile. Ai ka thënë se ky koalicion nuk do të ketë nevojë për koalicion me subjekte tjera përveç minoriteteve

Lajme

21/05/2017 17:14

Ai ka thënë se PDK është mirë e përgatitur për zgjedhjet e 11 qershorit.

“Ju e dini që Partia Demokratike e Kosovës ka qenë aktive apo më mirë me thënë ka qenë e angazhuar në aktivitete pothuajse që nga përfundimi i zgjedhjeve të vitit 2014 dhe kryetari i partisë veçanërisht, por edhe strukturat tjera të partisë kanë qenë dhe janë të gatshme për zgjedhjet e 11 qershorit. Mendoj që anëtarësia e PDK-së, simpatizantët dhe mbështetësit  që janë të shumtë, por edhe vullnetarët janë të përgatitur për ditën e zgjedhjeve”, ka thënë Reçica për lajmi.net

Më tej, ai ka thënë se koalicioni  PDK-AAK-Nisma dhe të tjerët nuk do të ketë nevojë për koalicion me subjektet tjera, përveç me ato të pakicave, që është edhe obligim kushtetues.

“Është e padiskutueshme që Partia Demokratike e Kosovës me të gjithë partnerët e koalicionit parazgjedhor do të fitojë numrin e mjaftueshëm të ulëseve në Kuvend për të formuar një Qeveri të qëndrueshme me një mandat të qartë katër vjeçar dhe sigurisht që sa i përket numrave, nuk do të ketë nevojë për partnerë tjerë, veç asaj që është obligim dhe detyrim kushtetues sa i përket  komuniteteve pakicë”, është shprehur Reçica.

Në fund, kandidati për deputet nga radhët e PDK-së u ka bërë thirrje të subjekteve politike dhe kandidatëve që garojnë në këto zgjedhje që të tregojnë kulturë të debatit dhe që mos përdoret gjuhë fyese e denigruese.

“Mendoj që zgjedhjet duhet  domosdo të jenë të qeta, gjatë fushatës të tregohet nivel i lartë i kulturës dhe të ketë konkurrencë programesh si dhe konkurrencë të njerëzve me vlera. Dhe iu bëjë thirrje të gjithëve që janë të përfshirë në këtë garë që t’i ikin gjuhës fyese e denigruese. Të gjithë duhet ta dimë se kjo është një garë politike dhe duhet të konkurrojmë me vlera, e kurrsesi me të kundërtën e tyre”, ka përfunduar Reçica. /Lajmi.net/