Recetë e plakave italiane: Kështu gatuhet pica Calzone klasike!

Për kafjall apo darkë – thjesht kurdo që ju pëlqen kuzhina italiane.

Lifestyle

15/07/2017 14:03

Përbërësit:

Për brumë: 1 kg miell, 3 qese tharmë të thatë; 3 lugë të vogla kripë, 2 lugë të vogla sheqer, 620 ml ujë të vakët.

Për fill: keçap, proshutë, djathë të grirë në rende, ajkë, kërpudha dhe fletë të grira rigoni.

Përgatitja:

Në një enë të thellë përzieni miellin, tharmin, sheqerin dhe kripën, dhe në mes të përbërjes bëni një gropëz dhe qitni ujë. Uji patjetër duhet të jetë i vakët, assesi i valë, sepse brumi nuk do të bymehet.

Me lugë lehtësisht shtoni miellin nga ana e enës dhe gradualisht bashkoni brumin.

Kur të trashet brumi, qiteni në sipërfaqe të spërkatur me miell dhe ngjisheni mirë. Gjatë ngjeshjes shtoni sipas nevojës miell që të mos ngjitet, mirëpo nuk duhet tepruar, sepse brumi duhet të jetë i butë.

Sa më shumë që ta ngjishni brumin ai do të bëhet më i bukur, andaj vetvetiu bëhet më i lehtë për t’u gatuar.

Brumin kthejeni në enë, mbulojeni me leckë të pastër pambuku dhe lëreni në vend të ngrohtë rreth gjysmë ore që të bymehet. Kur të bymehet përafërsisht bëhet dyfish më i madh.

Brumin sërish ngjisheni dhe tëhollojeni me okllai në trashësi 3 – 4 mm. Rrathët mund t’i bëni në dy mënyra – nga brumi i shtrirë me okllai bëni toptha dhe sërish tëholloni, apo shtrijeni tërë brumin në një copë me ndihmën e pjatës së vogël të kthyer mbrapsht matni rrathët.

Në picën e tëholluar qitni të gjithë përbërësit e fillit, por mund të shtoni edhe diçka tjetër apo të hiqni, sipas dëshirës.

Mbuloni rrathët, ktheni pak dhe shtrëngoni skajet, radhisni në një tepsi të lyer me vaj apo në letër për pjekje dhe secilën picë butësisht në disa vende priteni me thikë apo shpojeni me pirun.

Piqeni në 220 gradë Celsius deri sa të marrë ngjyrë të gështenjtë. /Telegrafi/