‘Rebelja’ e LDK-së, Teuta Rugova, i bashkohet turit lobues për viza

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli së bashku me një grup deputetësh, kanë mbërritur në Austri për të lobuar për liberalizimin e vizave për vendin.

Lajme

07/06/2018 18:25

Përkundër që Lidhja Demokratike e Kosovës është deklaruar se nuk do të jetë pjesë e turit lotues, deputetja e kësaj partie, Teuta Rugova është parë në Vjenë, shkruan lajmi.net.

Ishte shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Avdullah Hoti i cili kishte thënë:

“Grupi Parlamentar i LDK-së nuk i bashkohet turit lobues – turistik të Kryetarit të Kuvendit sepse konsideron se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla”.

Fjalën e tij nuk e ka dëgjuar deputetja Rugova e cila përndryshe është anëtare e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Lajmi.net ka provuar të kontaktojë me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotin dhe deputetë të tjerë të kësaj partie, mirëpo ata nuk janë përgjigjur.

Hoti ka marrë komente negative edhe nga miqtë e tij në rrjetin social Facebook, pikërisht në statusin ku paralajmëron se nuk do të jenë pjesë e turit lobues.

“Deputetja e LDK-se, Teuta Rugova i eshte bashkuar. Andaj mos u mundoni me e mashtru popullin. Apo ndoshta Teuta nuk eshte deputete e LDK? Zgjidheni njerin opsion, ose Teuta Rugova nuk eshte ne LDK, ose LDK i eshte bashkuar turit lobues turistik”, thotë një komentues.

Një tjetër komentues thoshte se Rugova u ishte bashkuar grupit të deputetëve në Vjenë për shkak të meditjes.

Ndryshe, deputetja e “rebeluar” e LDK-së, Teuta Rugova disa herë ka dalë kundër partisë së saj, duke votuar edhe formimin e Qeverisë, ku partia e saj ishte kategorikisht kundër.

Rugova gjatë asaj kohe nuk kishte marrë pjesë në disa seanca të Kuvendit, por edhe kur është prezente nuk është aspak aktive në debatet parlamentare apo edhe cështje tjera. /Lajmi.net/