Reali u mbrojt

Thomas Muller thotë se ishte i befasuar nga taktika negative e Real Madridit, duke insistuar se ‘Los Blancos’ u mbrojtën në shtëpi të tyre. Sidoqoftë, futbollisti i Bayern Munichut është i vendosur ta kthejë rezultatin në lojën e kthimit.

Sport

24/04/2014 11:18

Thomas Muller ndien se mbrojtja e Real Madridit ishte e ngjeshur, në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën mbrëma dhe se kjo ishte një shenjë e respektit të madh ndaj Bayern Munichut.

Mesfushori ofanziv gjerman po ashtu e pranon se do të jetë mjaft e vështirë për ekipin e tij që të rikthehet në ndeshjen e kthimit, pas humbjes 1:0 në duelin e parë.

Kampioni evropian e shijoi mbajtjen e topit në pjesën më të madhe të lojës në Santiago Bernabeu, por djelmoshat e Carlo Ancelottit u kënaqën me golin e shënuar nga Karim Benzema dhe u kthyen në mbrojtje, për ta ruajtur këtë avantazh.

“Mendoj se Real Madridi shfaqi respekt masiv për ne. Imagjinojeni këtë: Reali ktheu gjithçka prapa, në fushën e tij, në shtëpinë e tij”, deklaroi përfaqësuesi gjerman për uebfaqen zyrtare të klubit.

“Ne sulmuam dhe ishim afër të shënonim në fund. Ne nuk e bëmë këtë dhe na përket ta bëjmë në ndeshjen e kthimit. Na pret një punë e vështirë”, përfundoi Muller.

Ndeshja e kthimit gjysmëfinale e Championsit ndërmjet Bayernit dhe Realit do të zhvillohet më 29 prill në Allianz Arena.