Reali shpërblen Ramosin

Real Madrid do të shpërblejë mbrojtësin Sergio Ramos me kontratë të re në Santiago Bernabeu. Ylli spanjoll do të ketë pagë prej rreth 10 milionë euro në vit, gati sa Gareth Bale.

Sport

11/06/2014 10:00

Sergio Ramos do të vazhdojë kontratën e tij me Real Madridin pasi ka bindur trajnerin Carlo Ancelotti për rëndësinë e tij të madhe që ka në skuadër.

Sipas të përditshmes sportive spanjolle Marca, qendërmbrojtësi spanjoll do të vazhdojë qëndrimin e tij në Santiago Bernabeu duke përfituar nga rritja e konsiderueshme e pagës që sipas marrëveshjes së re do të jetë afër 10 milionë euro në vit.

Ramos do të paguhet gati sa Gareth Bale, kurse para tij do të jetë vetëm ylli kryesor i ekipit, Cristiano Ronaldo. Nëse vazhdimi i kontratës së Ronaldos ka qenë temë e rëndësishme në klub në edicionin e kaluar, në të riun do të jetë qëndrimi i Ramosit.

Në edicionin e sapo përfunduar, Ramos shkëlqeu në të gjitha garat kurse me golin e tij në Lisbonë i mundësoi Real Madridit që t’i sigurojë vazhdimet kundër Atletico Madridit ku në fund Los Blancos shënuan fitore me rezultat 4-1 dhe fituan trofeun e dhjetë jubilar të Ligës së Kampionëve.  

Ramos aktualisht ka kontratë me Realin deri më 2017.