Reali gjen talentin e së ardhmes

Real Madrid është i gatshëm të bëjë një investim të madh por të rëndësishëm për të ardhmen. Los Blancos kanë identifikuar 15-vjeçarin Martin Odegaard nga Norvegjia, si objektiv për transferim.

Sport

01/08/2014 10:38

Martin Odegaard është emër i panjohur në botën e futbollit. Por, kjo për shkak se është ende i ri, 15-vjeç.

Mirëpo, ajo që ngadalë është duke u bërë e njohur anembanë kontinentit të Evropës është talenti i tij i jashtëzakonshëm.

Odegaard është ‘magjistar’ në mesfushën e Stromsgodset dhe tashmë spekulohet se ka zgjuar interesim nga shumë klube të mëdha evropiane, përfshirë Real Madridin.

Madje, Los Blancos janë të gatshëm të paguajnë 12 milionë funte për transferimin e tij.

Gjigantët e tjerë si Bayern Munich e Manchester United e kanë parë Odegaardin në aksion pasi e kanë ftuar në stërvitje me ta gjatë dimrit të shkuar.

Ai po ashtu gjatë vitit të kaluar u paraqit shkurt në Stuttgart dhe vizitoi Manchester Cityn. Por, klubi që konsiderohet si favorit për transferimin e tij është Real Madrid.