Reali e preferoi Chelsean në finale

Lojtarët e Real Madridit e kanë preferuar më shumë Chelsean sesa Atletico Madridin, në finale të Ligës së Kampionëve. Futbollistët madrilenë dëshiruan të përballen me ish trajnerin e tyre, Jose Mourinho, me të cilin i kishin prishur punët sezonin e fundit. 

Sport

01/05/2014 19:19

Madridi në petkun e Evropës. Derbi ndërmjet Realit dhe Atleticos, që do të zhvillohet më 24 maj, do ta përcaktojnë fituesin e Ligës së Kampionëve për këtë sezon.

Finalja do të zhvillohet në Lisbonë ndërmjet Merengues dhe Los Colchoneros.

Ndër të tjera, versioni online i të së përditshmes spanjolle Marca, zbulon se Reali, i cili u kualifikua në finale të martën, pasi e mposhti Bayern Munichun 4:0 në Allianz Arena, do ta preferonte më shumë Chelsean për t’u përballur me të në kërkim të ‘La Decimas’.

Pjesa më e madhe e ekipit të Carlo Ancelottit kanë preferuar të ballafaqohen me ish trajnerin e tyre, Jose Mourinho, i cili i kishte prishur raportet me pjesën më të madhe të lojtarëve, por edhe zyrtarëve të Realit, gjatë eksperiencës trevjeçare në Santiago Bernabeu.