Reali duhet ta fitojë Championsin

Mesfushori Isco kërkon nga tifozët të jenë lojtari i 12-të i Real Madridit, në finalen e Ligës së Kampionëve. Spanjolli mendon se madrilenët nuk duhet të qëndrojnë aq gjatë pa e fituar këtë kompeticion.

Sport

22/05/2014 11:44

Mesfushori i Real Madridit, Isco thotë se gjiganti madrilen nuk duhet të qëndrojë për një kohë aq të gjatë pa e fituar kompeticionin më të rëndësishëm evropian.

Ekipi i Carlo Ancelottit e ka arritur finalen e Ligës së Kampionëve, për herë të parë që nga viti 2002, kur e kishte mposhtur Bayer Leverkusenin 2:1.

Tash, Isco dëshiron që Reali t’ua sjell tifozëve La Deciman e shumëpritur, pas finales ndaj Atletico Madridit, të shtunën mbrëma.

“Ka një motiv të madh përreth ekipit. Mezi presim të vijë e shtuna. Jemi mjaft të ngazëlluar. Tifozët duhet të jenë një njeri shtesë për ne. Duam ta dëgjojmë prezencën e tyre, siç e ndiem në finale të Copa del Rey”, deklaroi Isco për uebfaqen zyrtare të klubit.

“Shpresoj se do ta fitojmë La Deciman. Real Madridi nuk duhet të shkojë aq gjatë pa e fituar Championsin. Ka mbetur edhe një ndeshje dhe kemi punuar për këtë që nga korriku dhe do të shkojmë për të dhënë gjithçka”.

“Ishim të fuqishëm, kompakt dhe një ekip i bashkuar këtë sezon në ndeshje të mëdha. Ky është çelësi për të shtunën. Nëse luajmë me atë dëshirë, kemi mundësi të mëdha të fitojmë”.

“Atletico ka qenë spektakolar këtë sezon. Ne duhet t’i ndalim ata. Çdokush ëndërron të luajë në finale të Championsit. Do të japim gjithçka për ta fituar La Deciman”, përfundoi Isco.