Real Madrid zhvillon ndeshjen e fundit të sezonit në Santiago Bernabeu

Real Madrid takohet me Celta Vigon në Santiago Bernabeu.

Sport

12/05/2018 10:08

Vetëm tre ditë pas disfatës në Ramon Sanchez Pizjuan me Sevillan, Reali i Madridit zbret sërish në fushë, këtë herë në Santiago Bernabeu, ku ekipi i Zinedine Zidane do të masë forcat me Celta Vigon.

Kjo periudhë natyrisht është tepër e rëndësishme si për trajnerin francez ashtu edhe për vetë futbollistët merengues, që prej kohësh i kanë përqëndruar që të gjitha forcat për në finalen e madhe të Champions-it, që do të mbahet në Kiev përballë Liverpoolit të Jurgen Klopp.

Pa ndonjë sforcim të madh “Los Blancos” bënë një figurë të shkëlqyer kundrejt skuadrës kampione, Barcelonës, për më tepër brenda në Camp Nou, ku gjyqtari Alejandro Hernandez me vendimet e tij bëri çmos që lojtarët e Realit të mos të prishnin kolonën zero të humbjeve të ekipit Blaugrana, përcjell “SuperSport”.

Në mesjavë në Andaluzi, Zizou i besoi kryesisht zgjedhjeve të dyta, megjithatë edhe në orën 20:45 në kryeqytet ndaj skuadrës galiciane pritet pak a shumë që të ndodhë e njëjta gjë, pasi trajneri francez nuk ka asnjë dëshirë për të rrezikuar lojtarët kryesorë të ekipit, aq më tepër në një takim që nuk pritet të ndryshojë aspak pozitat në klasifikim.

Mbetet për t’u parë formacioni, sidoqoftë ndeshja përbën një rast të shkëlqyer për lojtarët e tjerë të Realit, pasi skuadra e Celta-s udhëton drejt kryeqytetit e qetë dhe pa kurrfarë presioni, për më tepër Reali ndaj ekipit galician ka fituar vetëm 1 nga 4 përballjet e fundit dhe sikur të mos mjaftonte eliminimi i vjetshëm në Kupën e Mbretit në fazën e parë Celta arriti t’i frenojë “Los Blancos” në një barazim 2-2.