Real Madrid me ofertë të madhe për Donnarumman

Real Madrid ka nisur të punojë për të sjellë në skuadër Gianluigi Donnarumman.

Sport

15/06/2017 19:16

Portieri 18 vjeçar ka vendosur të mos e vazhdojë kontratën me Milanin, kontratë e cila skadon në qershor të vitit 2018.

Lajmi është bërë i ditur nga zyrtari i Milanit, Marco Fasone, i cili kumtoi lajmin e marrë nga agjenti i Donnarummas, Mino Raiola.

“Raiola na njoftoi se Donnarumma ka vendosur të mos vazhdojë kontratën me Milanin. Ne i kemi bërë një ofertë, futbollisti e shikoi dhe nuk ishin vetëm problemet ekonomike, por ai tha se nuk dëshiron të vazhdojë me Milanin dhe do të largohet më 30 qershor 2018”, ka thënë Marco Fasone i Milanit, duke shtuar se klubi është zhgënjyer nga ky veprim.

Skuadra e parë që dëshiron ta shfrytëzojë këtë situatë, është Real Madrid.

Mediet e huaja raportojnë se Real Madrid i ka ofruar 6 milionë euro në sezon portierit të talentuar italian.

Nëse Real Madrid arrin marrëveshje me Donnarumman, arritja e një marrëveshje me Milanin në këtë situatë nuk pritet të jetë e vështirë./Lajmi.net/