Real Madrid, mbret i Copa del Rey

Real Madrid fitoi trofeun e Copa del Rey duke mposhtur Barcelonën në finale me rezultat 2:1. Gareth Bale realizoi golin vendimtar në triumfin e madh të Los Blancos.

Sport

17/04/2014 01:14

Real Madrid mposhti Barcelonën me rezultat 2:1 dhe festoi në finalen e Copa del Rey.

Los Blancos, pavarësisht mungesës së Cristiano Ronaldos për shkak të lëndimit, arritën të mposhtin gjigantin katalan, pas një dueli dramatik në stadiumin Mestalla në Valencia.

Reali kaloi i pari në epërsi me golin e Angel di Marias pas një kundërsulmi të suksesshëm në minutën e 11-të. Ekipi i Carlo Ancelottit shkoi në pushim me avantazh të lehtë.

Mirëpo, Barcelona u kundërpërgjigj në minutën e 68-të kur mbrojtësi i ri Marc Bartra shënoi me kokë pas një goditje nga këndi të ekzekutuar nga Xavi, duke rikthyer në lojë skuadrën e tij.

Reali, që kërcënoi seriozisht me një goditje nga distanca nga Luka Modric që qëlloi shtyllën, shënoi golin e fitores nëpërmjet Gareth Bale, pesë minuta para fundit.

Ylli uellsian bëri një depërtim të jashtëzakonshëm duke fituar duelin me Bartran dhe mposhti Jose Manuel Pinton në atë që doli të jetë momenti vendimtar i sfidës.

Neymar pati mundësinë ta dërgonte ndeshjen në vazhdime, por qëlloi shtyllën në minutat e fundit të takimit.