Real – Atletico, dallimi si nata me ditë

Real Madrid ka shpenzuar gjashtë herë më tepër se rivali i tyre i qytetit, Atletico Madrid, për krijimin e skuadrës së tanishme, derisa përgatiten të ballafaqohen mes vete në finalen e Ligës së Kampionëve.

Sport

24/05/2014 11:21

Shumë vështirë se mund të ishin më të ndryshëm. Dy finalistët e sivjetmë të Ligës së Kampionëve vijnë nga i njëjti qytet, por kjo është e vetmja ngjashmëri mes tyre.

Sa i përket tifozëve, historisë, vlerave, stilit, dhe traditës, Real Madrid dhe Atletico janë larg mes vete. Por, dallimi më i madh mes skuadrave është në aspektin financiar.

Los Blancos tradicionalisht shquhen si klub që transferon yjet më të mëdhenj, e sidomos pas rikthimit të Florentino Perezit si president më 2009.

Kurse, Atletico ka një qasje shumë më të kujdesshme, që e bën rrugëtimin e tyre drejt finales një arritje edhe më të jashtëzakonshme.

Reali shpenzoi 521.9 milionë euro për krijimin e skuadrës aktuale, të përbërë nga yje si Cristiano Ronaldo e Gareth Bale.

Ndërsa, komplet ‘luftëtarët’ e Diego Simeones kanë ardhur në klub për vetëm 79.05 milionë euro. Çka të shtojmë më tepër? Dallimi është i madh si nata me ditë.