Reagon zyra e kryeministrit Mustafa: Ja e vërteta e perdeve 5 mijë euro

Ka reaguar zyra e kryeministrit, Isa Mustafa pas publikimit të artikullit për ndryshimin estetik me perde 5 mijë euro në zyrën e tij.

Lajme

22/06/2017 22:09

Sipas reagimit të dërguar për media thuhet, se asnjë perde nuk është parashikuar të blihet për Kabinetin e Kryeministrit Mustafa, por është parashikuar që të pajisë me perde 6 katet tjera të shërbimit civil në kuadër të objektit të Qeverisë, shkruan lajmi.net.

Reagimi i plotë:

Qeveria e Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se artikulli me titull “5 mijë euro për perdet e Isa Mustafës”, i publikuar në portalin propagandues të një grupimi, është i pavërtetë.

Qeveria e Kosovës sqaron opinionin se asnjë perde nuk është parashikuar të blihet për Kabinetin e Kryeministrit Mustafa, por blerja në fjalë është parashikuar që të pajisë me perde 6 katet tjera të shërbimit civil në kuadër të objektit të Qeverisë, dhe nuk është proceduar përmes Kabinetit të Kryeministrit.

Portali propagandues nuk ka marrë mundin të kërkojë informata për këtë çështje, pasi që nuk i intereson e vërteta por dëshiron të manipulojë opinionin.

Ftojmë qytetarët e Kosovës që të mos bien pre e mashtrimeve të portaleve të tilla. /Lajmi.net/