Reagon VV pas arrestimit të Sveçlës

Pas urdhëresës së Gjykatës Themelore të Prishtinës për të arrestuar drejtorin e Inspeksionit Xhelal Sveçla, ka reaguar Lëvizja Vetëvendosje, e cila konsideron se sa herë që në Kosovë ka procese të dëmshme për shtetin, atëherë arrestohen aktivistë të VV-së.

Lajme

21/07/2015 15:03

“Në një vend ku vlon krimi e korrupsioni, ku na imponohen përveç tjerash edhe sisteme të ndryshme paralele të drejtësisë, pushteti i orienton gjykatat në përndjekjen e aktivistëve tanë për aksionet e mëhershme publike, për të mos lejuar kështu një gjyqësi të pavarur që do ta ndiqte krimin dhe korrupsionin. Kjo përsëritet vazhdimisht, sa herë që në Kosovë zhvillohen procese shumë të dëmshme për shtetin, ashtu që duke përndjekur e duke arrestuar aktivistët tanë, ta ulin potencialin e reagimeve të mundshme ndaj të bëmave të këtij sistemi”, ka thënë Adonis Tahiri nga VV-ja, për Indeksonline.

Sipas tij, Policia e Kosovës ka arrestuar disa aktivistë të Vetëvendosjes nëpër vende të ndryshme, por nuk kanë ardhur në zyrat e Lëvizjes.

Ndryshe, siç është raportuar në mediat kosovare, Xhelal Sveçla është kërkuar të dalë para gjykatës për shkak të aksionit të VV-së në vitin 2009 për rrotullimet e veturave të EULEX-it, si dhe sot është arrestuar Kasim Uka nga Vushtrria, aktivist tjetër i VV-së./Indeksonline/