Reagon TEB Banka, mohon se do të shkrihet në Raiffeisen

TEB mohon kategorikisht se do t’i blihet nga Raiffeisen.

Lajme

03/10/2018 11:30

Banka TEB ka reaguar në lidhje me lajmin se kjo kompani do t’i shitet bankës Raiffeisen me origjinë austriake që vepron në Kosovë.

Sipas reagimit, banka TEB mohon kategorikisht se do t’i blihet nga banka Raiffeisen, transmeton lajmi.net.

Reagimi i plotë:

“Nëpërmjet kësaj deklarate për media kërkojmë të merrni parasysh shpjegimet në vijim dhe të bëni korrigjimet e nevojshme të lajmit përkatës në lidhje me atë që TEB Sh.A. që operon në Kosovë do t’i shitet bankës Raiffeisen.

Lajmi që TEB Sh.A. do t’i shitet bankës Raiffeisen me origjinë austriake që vepron në Kosovë nuk e pasqyron realitetin. TEB Sh.A, e cila vepron në Kosovë që nga viti 2008 është e vendosur të vazhdojë me me përkrahjen e ekonomisë dhe shoqërisë kosovare, sikur deri me tani.

Me rrjetin e gjerë të degëve të bankës dhe me mundësitë e punësimit me mbi 600 punonjës, banka është një nga bankat kryesore në Kosovë dhe është lidere me 66% të tregut në lidhje me tregun e kartave të kreditit. Si banka e dytë për kredi individuale, TEB Sh.A. ka një rol të rëndësishëm në vend me kreditë e saj bujqësore dhe ofron projekte në lidhje me grate ndërmarrëse. Sa i përket performancës së saj financiare, banka është e njohur dhe vlerësuar ndërkombëtarisht, si dhe përfaqëson me sukses Kosovën.

Në këtë kontekst, dëshirojmë të theksojmë edhe një herë besimin tonë se TEB Sh.A. do të ndjekë strukturën e saj të fortë financiare në Kosovë dhe se ne nuk e konsiderojmë lajmin në fjalë si pasqyrim të realitetit, prandaj ne ju lutemi t’i bëni korrigjimet e nevojshme”, thuhet në reagimin që TEB ka bërë.

Lexo edhe:

Raiffeisen Bank dëshiron të zgjerojë dominimin në sektorin bankar të Kosovës

Ndërkohë që, lajmi.net, javën e kaluar, ka raportuar se Raiffeisen Bank, e themeluar me kapital austriak dhe që operon në Kosovë që nga viti 2001 është duke negociuar blerjen e plotë të bankës TEB, e cila operon në Kosovë që nga viti 2008 dhe është themeluar me kapital turko – francez.

Lajmi.net kishte kontaktuar me Iliriana Tahiraj, zyrtare për media dhe marrëdhënie me publikun në Raiffeisen Bank, e cila tha: “Ne nuk mund të komentojmë sepse nuk kemi informacione për këtë çështje”.

Lajmi.net në kohën e publikimi të lajmit “Raiffeisen Bank dëshiron të zgjerojë dominimin në sektorin bankar të Kosovës”,  kishte provuar të bie në kontakt edhe me zyërtarët e TEB bankës, por ata nuk kanë qenë të qasshëm. /Lajmi.net/