Reagon Rexhep Selimi: “Dëshmitari B” nuk e ka thënë të vërtetën

“Dëshmitari B” ka dhënë sot dëshminë lidhur me rastin e Grupit të Drenicës. Ai ka thënë se është rrahur nga Sabit Geci në gusht të vitit 1998 në Likovc, ndërsa ka përmendur edhe deputetin e Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, i cili ka qenë njëri prej komandantëve të UÇK-së, duke thënë se Selimi e ka marrë në pyetje. Mirëpo, Selimi ka reaguar lidhur me këtë deklaratë, duke e quajtur tërë deklaratën të pavërtetë. 

Lajme

14/10/2014 17:48

(E plotësuar)

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të “Dëshmitarit B” i cili tha se në vitin 1998, ishte marrë në pyetje nga Rexhep Selimi, atëherë komandant i UÇK-së.

“Dëshmitari B”, gjatë deklaratës së tij në gjykimin për rastin e Grupit Drenica, ka deklaruar se ai është marrë në pyetje nga Selimi, që atëbotë ishte komandant i UÇK-së, dhe ka thënë se i ka treguar Selimit se ai “nuk është spiun i Serbisë”.

Rexhep Selimi, ndërkaq, në një prononcim për Indeksonline, e ka quajtur të gjithë procesin kundër “Grupit të Drenicës” si shpifje.

Selimi ka thënë se “Dëshmitari B”, në dëshminë e tij, nuk ka thënë asgjë të vërtetë dhe se ai nuk ka qenë i përfshirë në këtë rast.

Mirëpo, sipas Selimit, gjykimi i Grupit të Drenicës është një proces i cili po dëmton më shumë të akuzuarit dhe familjarët e tyre, sesa vet Selimin.

“I gjithë procesi është shpifje dhe më të prekurit janë familjarët dhe të akuzuarit, e më sa paku jam unë. Lexuesit tuaj dhe të gjithë duhet ta dinë se jo vetëm ato deklarata të atij dëshmitari janë shpifje, por i gjithë procesi është i bazuar në akuza të pavërteta”, ka thënë Selimi.

___________________________________________________________________________________

“Dëshmitari B”: Sabit Geci më ka rrahë e Rexhep Selimit i tregova se nuk jam spiun i Serbisë 

Në vazhdimin e seancës për “Grupin e Drenicës” ka dëshmuar “Dëshmitari B”, i cili ka thënë se në gushtin e vitit 1998 është rrahur nga Sabit Geci.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Michalczuk, “Dëshmitari B” tregoi se çfarë i ndodhi në vitin 1998.

“Në gusht të vitit 1998 në shtëpinë time kanë ardhur dy ushtarë të UÇK-së, së bashku me ‘Dëshmitarin A’ dhe më kanë thënë se duhet me ardhë në Likovc”, tha dëshmitari, raporton Kallxo.com.

Dëshmitari B më pas tregoi se ku u dërgua.

“Më kanë dërguar në ish-stacionin e policisë, i cili ka qenë i djegur, mirëpo UÇK-ja ia pat vendosur përsëri kulmin”, deklaroi B-ja.

Gjatë dëshmisë ai akuzoi Sabit Gecin për rrahje. Ndërkaq, Sabit Geci u kthye pasdite në seancë, pasi që paraprakisht, ishte dërguar në spitalin e jugut të Mitrovicës, për të marrë trajtim mjekësor. Ai kishte probleme mjekësore pasi i është rritur sheqeri në gjak.

“Aty ka ardhur Sabit Geci dhe më ka rrahur me një pendrek. Ai ka qenë i shoqëruar nga një ushtar si truproje e tij”, deklaroi dëshmitari, duke përshkruar objektin ku mbahej nga ish-guerilët kosovarë.

Sipas tij, objekti kishte dy dhoma të vogla dhe një sallë të madhe.

Në aktakuzë thuhet se disa nga të akuzuarit e “Grupit Drenica” detyruan dëshmitarët A dhe B të rrihen mes vete.

Dëshmitari bëri me dije se u mor në pyetje nga Rexhep Selimi, njëri nga komandantët e UÇK-së dhe tash deputet i “Vetëvendosjes”.

“I kam shpjeguar atij se nuk jam spiun i Serbisë. Pas një interviste prej rreth dy orësh edhe bisede të lirë që kam bë me të, ai më ka liruar”, tha dëshmitari.

Dëshmia e dëshmitarit të koduar “B” ka shkuar shumë ngadalë, pasi që ai ka probleme me dëgjim. Atij i është dashur asistenca e një personi, i cili i ka qëndruar afër duke ia transmetuar pyetjet që i bëhen. E kjo e ka ngadalësuar shumë seancën, raporton Kallxo.com