Reagon Prokuroria e Gjakovës: Kryeprokurori është njoftuar për kanosjen pasi është kryer vrasja

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka reaguar ndaj shkrimit të publikuar në media lidhur me deklarimet e pavërteta siç thonë ata të kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ali Selimaj pasi ky i fundit kinse ka thënë “Nuk i marrim seriozisht kërcënimet e vrasësit”.

Lajme

09/08/2018 11:56

Deklaratat e Selimajt për të cilat Prokuroria thotë se nuk qëndrojnë, erdhën pas vrasjes së dyfishtë e cila ndodhi natën e 7 gushtit në Gjakovë.

“Ju njoftojmë se kjo nuk qëndron dhe një konstatim i tillë është i pavërtetë, sepse Prokuroria Themelore nëpërmes prokurores kujdestare ka komunikuar verbalisht me policinë, kurse Kryeprokurori i PTH-së në Gjakovë është njoftuar lidhur me kanosjen pasi është kryer vrasja dhe ditën e djeshme me përmbajtjen e mesazheve, pra një ditë pas aktit të kryerjes së vrasjes”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Reagimi i plotë:

Prokurori përgjegjës për komunikim me media në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, z. Armend Zenelaj, duke u bazuar në disa shkrime të portaleve, si në Insajderi dhe portale të tjera, lidhur me një deklaratë të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, z. Ali Selimaj, për vrasjen e dyfishtë, e cila ka ndodhur në Gjakovë më 7 gusht 2018, lëshon këtë:

D E M A N T I M​   P Ë R    M E D I A 

Shkrimi i publikuar në portalin Insajderi dhe në disa portale të tjera se kinse Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Gjakovës, z. Ali Selimaj, ka deklaruar: “Nuk i marrim seriozisht kërcënimet e vrasësit” lidhur me paraqitjen e kanosjes nga ana e viktimës V.N., para vrasjes më 7 gusht 2018, Ju njoftojmë se kjo nuk qëndron dhe një konstatim i tillë është i pavërtetë, sepse Prokuroria Themelore nëpërmes prokurores kujdestare ka komunikuar verbalisht me policinë, kurse Kryeprokurori i PTH-së në Gjakovë është njoftuar lidhur me kanosjen pasi është kryer vrasja dhe ditën e djeshme me përmbajtjen e mesazheve, pra një ditë pas aktit të kryerjes së vrasjes. Andaj, kërkoj nga portalet përkatëse, konkretisht, nga Insajderi dhe portalet e tjera, që ta korrigjojnë titullin e publikuar, ngaqë Prokuroria e trajton çdo rast me seriozitet dhe prioritet, sidomos rastet e dhunës në familje./Lajmi.net/