Reagon Polica, thotë se zbatoi urdhrat e gjykatës për rastin e deputetëve të VV-së

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zbatuar ligjin në rastin e bastisjes së shtëpive të deputetëve të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Donika Kadaj Bujupi.

Lajme

22/11/2017 12:30

Sipas njoftimit, policia ka marrë urdhër nga gjykata që t’i sjellë me detyrim në gjykatë të deputetët, të cilët sot ishin dashur të paraqiten në gjykatë, por që kanë refuzuar.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, më datë 13.10.2017 i ka referuar urdhëresën e përsëritur Policisë së Kosovës për sjelljen me detyrim të personave A. Kurti dhe D. Kadaj-Bujupi, në seancën gjyqësore të datës 22.11.2017 përpara orës 09:00 pasi që ndaj tyre është duke u zhvilluar procedurë penale”.

“ Konform detyrimit ligjor, autorizimeve të saja si dhe përgjegjësisë për ta realizuar urdhëresën sipas përmbajtjes së saj, policia ka dërguar njësinë patrulluese në adresat e dhëna nga gjykata për të kontaktuar me personat në fjalë, por të njëjtit nuk janë gjetur në adresat e tyre, si dhe nuk ka qenë e mundur të kontaktohen përmes formave të tjera të kontaktit”, thuhet në komunikatën e policisë.

Policia ka konfirmuar se nuk kanë gjetur në lokacionet e kërkuara Kurtin e Kadaj-Bujupi, si dhe për këtë ka informuar prokurojnë.

“ Përkitazi me këtë, policia ka njoftuar gjykatën themelore për veprimet e saj dhe mos gjetjen e personave në adresat e tyre përpara fillimit të seancës”.

“Ndërlidhur me veprimet policore konfirmojmë se në asnjërin prej të dyja rasteve policia nuk ka rrethuar lokacione dhe nuk ka bastisur asnjë adresë banimi, andaj pretendimet e disa qarqeve informative për bastisje dhe rrethim të ndonjë vendbanimi janë të pavërteta dhe  si të tilla mbesin në suazat e spekulimeve”, thuhet nga policia e Kosovës.

Sot ishte paraparë që të mbahet senaca ndaj 4 deputetëv të Vetëvendosjes, Albin Kurti, Donika-Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për hedhje të gazit lotësjellës në Kuvend. Vetëm Topalli kishte shkuar në seancë./Lajmi.net/