Reagon Pacolli: Labi është humanist i madh, të gjitha gjërat i trajton me emocione

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka thënë se deklarata e tij është keqkuptuar nga disa portale.

Lajme

26/07/2017 14:59

Ai me anë të një postimi në facebook ka thënë se deputetët e AKR-së janë unik.

Pacolli ka përmendur edhe deputetin e kësaj partie Labinot Tahirin i cili sot ka thënë se do ta votojë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit.

“Në lidhje me disa keqkuptime që portalet I dhanë një deklarate. Deputetët e AKR janë unik dhe të vendosur që të përfaqësojnë qëndrimet politike të AKR-së. Secili nga deputetët e AKR-së, edhe zoti Labinot Tahiri që është nënkryetar I AKR-së, përfaqësojnë lidershipin dhe strukturën e kësaj partie. Për më tepër, z.Tahiri është një humanist i madh dhe të gjitha gjërat i trajton shpirtërisht dhe me emocione”, ka shkruar Pacolli, njofton lajmi.net.

Ai ka bërë thirrje që të ndalen presionet ndaj deputetëve të cilat i ka quajtur veprime jo demokratike dhe jo ligjore.

“Të gjithë ata që janë duke ushtruar presion ndaj deputetëve ju bëj thirrje që të heqin dorë nga këto veprime jo demokratike dhe jo ligjore”.

“AKR ka qëndrim politik të njohur për opinionin publik dhe votuesit dhe votuesit e vet. Andaj, deputetët e e partisë do të implementojnë këto vendime politike”.

“Njerëzit që ushtrojnë këto presione duhet ta dinë se partitë politike themelohen dhe funksionojnë sipas disa rregullave të cilat meritojnë të respektohen”, ka shkruar Pacolli.

Kreu i AKR-së pas procesit të regjistrimit si deputet i Kuvendit është shprehur se do të respektoj marrëveshjen që ka me LDK-në dhe Alternativën, duke thënë se nuk do të votojnë PAN-in.

Por gjatë ditës së sotme deputeti i AKR-së dhe nënkryetari i kësaj partie ka thënë se do ta votojë kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit./Lajmi.net/