Reagon MZHE: Nuk menaxhojmë me NP-të dhe nuk mbështesim asnjë menaxher

Ministria e Zhvillimit Ekonomik sqaron opinionin se artikulli me titull “Ministria e Blerand Stavilecit mbron Predrag Bozhoviqin, familjarin e të dyshuarit për vrasjen e Enver Zymberit”, të publikuar sot, më 17 mars nga portali Veriu.info, i shpërndarë edhe nga portale tjera, nuk përmban asnjë të vërtetë lidhur me relacionin që MZHE ka me ndërmarrjen në fjalë, e aq më pak me të apostrofuarin, drejtorin e hidrocentralit të Ujmanit.

Lajme

17/03/2015 18:32

Ndërmarrjet publike nuk janë pjesë e MZHE-së dhe bazuar në Ligjin mbi NP, neni 131, Themeluesi-Aksionari, në këtë rast MZHE dhe Qeveria, nga momenti i themelimit nuk kanë autorizim për të menaxhuar me NP.

Përgjegjësinë për drejtimin e NP-së e kanë bordet e drejtorëve, të cilët së bashku me menaxhmentin kanë kompetencë dhe përgjegjësi për menaxhim me NP-të. menaxhmentet e NP-ve i përgjigjen bordeve të drejtorëve, përderisa bordet e emëruara nga Aksionari-Qeveria, për punën e tyre i përgjigjen Aksionarit.

MZHE mbetet e përkushtuar për rritjen e transparencës me qëllim të informimit të  publikut, ndërkaq çdo raportim jo korrekt nuk i shërben informimit të drejtë të qytetarëve dhe përbën shmangie nga etika e gazetarisë.