Reagon Mimoza, raporti i KDI-së për Prokurimin është për qeverisjen e kaluar

Komuna e Gjakovës njofton opinionin publik se të gjeturat nga raporti i KDI-së për prokurimin në Gjakovë, i publikuar sot në një tryezë të organizuar nga KDI-ja, i takojnë vitit 2013, konkretisht tre tenderëve që i ka proceduar qeverisja e kaluar lokale.

Lajme

16/03/2015 22:08

Sipas raportit të KDI-së, në reagim thuhet se del se në vitin 2013 Komuna e Gjakovës ka paguar çmimet shumë të larta për tenderët e analizuar, si dhe nuk ka pasur hartim të duhur të dosjeve të tenderit dhe kritereve teknike. Çmimet e naftës së komunës paguhen më shtrenjtë se çmimet e naftës në tregun me pakicë, ashtu sikurse kubëzat e betonit, të cilat kanë kushtuar deri në trefishin e mesatares së çmimeve në Kosovë.

“Më konkretisht, gjatë vitit 2013 janë shkelur procedurat ligjore të Ligjit për Prokurimin Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe njëkohësisht nuk janë respektuar rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës”, thuhet në këtë reagim.

Komuna e Gjakovës thotë se tri të gjeturat e KDI-së flasin për nivelin e problemeve të trashëguara nga ish qeverisja lokale, pasi që të gjithë këta tenderë janë të nënshkruar në kohën e qeverisjes së kaluar, ndërsa Komuna me qeverisjen e re lokale është gjetur e detyruar të zbatojë këto kontrata.

“Megjithatë, disa kontrata janë shkëputur disa operatorëve ekonomikë, për shkak se qeverisja e kaluar ka shpallur tender pa pasur mjetet e nevojshme buxhetore, e aq më keq kanë shfrytëzuar participimet e banorëve për ti filluar projektet, pa e planifikuar zotimin e mjeteve nga ana e Komunës. Për të adresuar hartimin e dosjeve të tenderit, Komuna do të angazhojë një kompani konsulence për të ndihmuar zyrtarët në hartimin sa më të mirë të këtyre dosjeve, për të shmangur kontratat shtesë dhe problemet me çmimet e njësive”, thuhet në këtë reagim.

“Në kuadër të angazhimeve, Komuna e Gjakovës gjatë vitit 2014 ka arritur të jetë Komuna e parë në publikimin e të dhënave të prokurimit, përmes virtualizimit të të dhënave në ‘Open Data Kosova’, të financuar nga UNDP”.