Reagon Komuna e Drenasit: Nuk blemë pelet nga Serbia

Ish-asamblisti i Komunës së Drenasit, Xhavit Drenori, akuzoi këtë komunë se ka blerë pelet prej Serbisë.

Lajme

16/12/2018 22:13

Ish-asamblisti i Komunës së Drenasit, Xhavit Drenori, akuzoi kryetarin e kësaj komune, Ramiz Lladrovcin, se ka blerë pelet nga Serbia, shkruan lajmi.net.

Pas këtij lajmi ka reaguar kjo komunë.

Përmes një njoftimi për media, komuna e Drenasit ka hedhur poshtë akuzat e Drenorit, duke thënë se nuk ka blerë pelet nga Serbia.

Lexo edhe:

Ramiz Lladrovci akuzohet se bleu produkte serbe për ngrohje në Drenas

Njoftimi i plotë i Komunës pa ndërhyrje:

Komuna e Drenasit ndjen për obligim të sqaroj qytetarët se Komuna pas publikimeve në media, kinse që Kryetari i Komunës ka blerë pelet nga Serbia.

Komuna nuk blenë pelet për ngrohje për asnjë institucion, por kontrakton Operator Ekonomik për furnizim sipas kërkesave, ndaj publikimet ne portale janë të pa baza dhe të njëanshme, sepse para se të publikojnë një lajm të tillë, duhet kontaktuar edhe Zyrën për Informim në Komunën e Drenasit për të vërtetuar një gjë të tillë.

Zyra e Prokurimit në Drenas nuk ka nënshkruar kontratë me Operatorin Ekonomik për të furnizuar me pelet Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas, por Operatori Ekonomik pasi që ka pranuar njoftimin për vendimin e autoritetit kontraktues, pa e bërë nënshkrimin e kontratës ka sjellë peletin të cilin Komisioni i Pranimit nuk e ka pranuar atë dhe i ka kërkuar OE të sjellë peletin sipas specifikimeve të dhëna në njoftimin për kontratë dhe dosjen e tenderit.

Operatori Ekonomik për furnizim me pelet për QKMF-në, pa e nënshkruar kontratën në Zyrën e Prokurimit Komunal, ditën e enjte ka dërguar në oborrin e QKMF-së një sasi të peletit duke ju thënë punëtorëve se jam OE fitues për furnizim dhe këtë sasi po e zbrazi para kohe e sasinë tjetër e sjelli nesër.

Komisioni verifikues ka konstatuar se peleti nuk është i kualitetit të kërkuar dhe ka kthyer kamionin e dytë duke i rekomanduar OE-së që ta marr edhe këtë sasi me vete. OE ka tentuar të manipuloj me pelet dhe peleti nuk është pranuar e as nuk është paguar.

Për këtë çështje do të kërkohet hetim i plotë, sepse QKMF nuk ka pasur urgjencë për pelet deri në përfundimin e procedurave të prokurimit, sepse ka huazuar nga Komuna sasinë prej 5 tonësh.

Kryetari i Komunës së Drenasit Ramiz Lladrovci mbetet i përkushtuar te zbatoj te gjitha masat për taksën 100%. Zyra e Prokurimit është e pavarur në vendimet e saj dhe se kryetari nuk ndërhynë në procedurat e prokurimit,por i monitoron përmes Zyrës së Auditorit të Brendshëm.

Për hir të korrektësisë të bashkëngjitur këtij njoftimi shihni edhe procesverbalin e Komisionit të Pranimit nga QKMF-ja. ​/Lajmi.net/