Reagon Edi Rama pas dhunës në Maqedoni

Kryeministri Rama ka reaguar për herë të parë për trazirat në Maqedoni. Ai ka thënë se shqiptarët duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Lajme

27/04/2017 21:45

Ai tha në “Top Story” se Gruevski e pranoi platformën shqiptare dhe se refuzimi i saj tani që Ahmeti shkoi në koalicion me Zaev është hipokrizi.

“Një bllokim krejtësisht i pakuptueshëm në Maqedoni i një procesi politik. Ajo që dua të them me këmbëngulje është që shqiptarët në Maqedoni duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Duhet të jenë shembulli se si ne të gjithë si shqiptarë, nuk duam fundin, por stabilitetin dhe demokratizimin e Maqedonisë, ku shqiptarët të jenë me të drejta të barabarta me maqedonasit. Është vërtet dramatike. Është një moment ku realisht duhet qetësi”, tha Rama.

Për Gruevskin

“Me vjen keq që u ngrit një strategji dritshkurtër politike duke vënë shqiptarët në shenjestër dhe duke bërë sebep platformën e ashtuquajtur të Tiranës. E vërteta është se Gruevski e ka pranuar platformën shqiptare dhe e refuzoi vetem kur Ahmeti arriti marreveshjen me Zaev”, tha Rama