Reagimi i ish-ushtarit të UÇK-së: Nuk luftuam për çmim por për liri

Po vazhdojnë reagimet e ish-ushtarëve të UÇK-së, emrat e të cilëve gjendën në listën e Veteranëve të dyshuar si mashtrues nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Lajme

18/09/2018 19:20

Ish-ushtari i UÇK-së, Shqiprim Lika, ka fakte se ka qenë pjesë e UÇK-së, por që emri i tij figuron në listën e publikuar nga lajmi.net.

“Kush pati fytyrë e guxim të luaj me ndenja të ushtarit më të ri në Dukagjin!! Mua dhe shokët na vritet për të saten herë edhe pas 20 vitësh. Publikimin e listës ditëve të fundit që po qarkullon në media, ku padrejtësisht gjënden shumë luftëtarë të dalluar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Konkretisht edhe emri im e i shumë shokëve tjerë! Është mëkat dhe ligësi e tmerrshme, e neveritshme, e pa moralshme, ajo çka është duke ndodhur më vlerat e këtij populli”, ka thënë Lika për FaktePlus.

Sipas tij, Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka qenë dhe nuk është pronë private e askujt.

“Edhe sa kohë duhet që të na vrisni, mjeranë. Tash në kohë paqeje, po luani me ndenja të luftëtarëve të lirisë të cilët ishin dikur dhe janë ikona dhe krenaria kombëtare!! Turp për një shoqëri të mirëfilltë e cila pretendon të jetë pjesë e familjeve të shteteve të civilizuara e demokratike! Nuk kemi luftuar për asnjë çmim apo pagesë (shpërblim). Misioni ynë ishte LIRIA”, ka shtuar ai.

Megjithatë, Lika është shprehur se nuk mund të bëhen të shurdhër kur mundohet një eskortë famoze e mirë organizuar t’i vejë në pikëpyetje vlerat dhe të arriturat e mëdha kombëtare.

“Qytetar të nderuar këto tendenca të zhvlerësimit dhe etiketimeve jo të rastësishme. Janë përpjekje për ta përulur UÇK-në. Për ta futur popullin në një konflikt të mundshëm. Këto intriga duhet që sa me parë prokuroria t’i vejë në lëvizje të menjëhershme të gjithë mekanizmin e saj në zbardhjen e kësaj përpjekje ogurzeze. Nuk ishte lehtë të jesh përball bishave serbe po thuajse gati dy vite lufte. Juve disave që u ka mbete merak lufta, luftoni tash dhe qojeni Kosovën në familjen e madhe të popujve përparimtar me vlera humane e njerëzore”, ka theksuar Lika.

Lika ka kërkuar që të merret shembull shteti kroat.

“Nuk kam luftuar për prona e livadhe. Isha i gatshëm dhe i përgatitur për t’u sakrifikuar për ty Kosovë. Kosovë hallall gjaku, mundi, djersa. Kërkesë eksplicite që mekanizmi i cili bëri publike këto lista me urgjencë t’i rishikoj dhe t’iu kërkoj falje publike gjithë neve që na u shkelën të drejtat themelore të njeriut.

Lika thotë se pas luftës ka qenë në ish Trupat Mbrojtëse të Kosovës, konkretisht në Batalionin Gardist “Shkëlzen Haradinaj”.